fbpx

Ky është motivi prapa urgjencës së pushtetit për ta zhbërë Specialen

  23 Dec 2017

Partitë kryesore në pushtet kanë dështuar të premten mbrëma që ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Por ato nuk do ta pushojnë mësymjen për të mbërritur këtë qëllim.

Kryesia e Kuvendit ka bërë dy tentativa për të shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve nënshkrues për seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të shqyrtohej Projektligji për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, emërtim ky për Specialen, shkruan sot Koha Ditore.

Në mungesë të kuorumit, në asnjërin rast nuk arriti të marrë vendim për procedimin e këtij projektligji për mendim në Qeveri, siç kërkon procedura.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë, si dhe Lista Serbe në pushtet, refuzuan të merrnin pjesë në mbledhjen e Kryesisë, duke e dështuar kështu kuorumin.

Nisma është sponsorizuar nga Partia Demokratike (PDK), subjekt ky kryesor në pushtet, dhe është mbështetur edhe nga dy partitë kryesore me të cilat qeverisë – nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), lideri i së cilës e drejton Qeverinë, si dhe nga Nisma për Kosovën.

Mbledhjen e nevojshme të nënshkrimeve e siguruan, ani se përgjatë kësaj kohe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, publikisht alarmonte se pezullimi i Speciales do ta izolonte ndërkombëtarisht Kosovën.

Një burim i gazetës ka thënë se mësymja e subjekteve në pushtet për ta bllokuar Specialen, do të vazhdojë. Ai ka përmendur edhe motivet, të cilat kanë bërë që me urgjencë të tentohet shfuqizimi i Ligjit për Specialen.

“Ka më shumë se një muaj që është përmendur 23 dhjetori si data e fundit deri kur duhet të shfuqizohet Ligji për Gjykatën Speciale. Nga ajo që kam kuptuar, motivi lidhet me informacionet që liderët politikë kanë se aktakuzat e para do të shpallen në prag të krishtlindjeve”, ka thënë ky burim.

“Nuk e di se kush mund të jenë në mesin e të akuzuarve, mirëpo panik i madh vërehet tek të gjithë përfaqësuesit më të lartë shtetërorë”.