Ky është kryetari i partisë që thotë nuk ka nevojë për koalicione,fiton i vetëm
Përkundër se nuk ka ndonjë marrëveshje zyrtare, kandidati i PDK-së për kryetar të Klinës, Sokol Bashota ka thënë se nuk frikësohet nga ndonjë koalicion i partive tjera siç është paralajmëruar.
Bashota për lajmi.net ka thënë se marrëveshjet politike në Klinë nuk kanë funksionuar kurrë.
“Nuk i frikësohem asnjë koalicioni, për arsye se qytetarët e subjekteve të treta dhe të katërta nuk do të kenë asnjë arsye për ta votuar të dytin për shkak të vet raporteve rivale që kanë pasur në zgjedhjet e 22 tetorit. Dhe realisht unë kam përvojën e mirë në komunën e Klinës, që marrëveshjet për balotazhe nuk kanë funksionuar kurrë”, ka deklaruar Sokol Bashota.
Kryetari aktual i Klinës, ka theksuar se në këtë komunë janë investuar mbi 70 milionë euro, çka sipas tij është garancë për fitore edhe në balotazh.
“Unë si kryetar i komunës kam kontratën me qytetarët për të cilët kam punuar deri më sot, dhe janë afërsisht mbi 70 milionë euro që janë futur në komunën e Klinës në interes dhe shërbim të qytetarëve. Do të thotë se kjo është një garancion se edhe në këto zgjedhje do të dal fitues madje bindshëm”, theksoi Bashota për lajmi.net
Ai ka komentuar edhe kundërkandidatin e tij në balotazh, Zenun Elezaj i cili vjen nga radhët e AleancëS për Ardhmërinë e Kosovës.
Bashota ka vlerësuar se Elezaj nuk është ndonjë figurë që njihet në komunën e Klinës.
“Kundërkandidati nuk është ndonjë figurë që njihet në komunën e Klinës. Asnjëherë nuk ka dhënë asgjë për qytetarët e komunës sonë. Kështu që fitorja e radhës është e sigurt”, përfundoi Sokol Bashota.
Në raundin e parë të zgjedhjeve Bashota prin bindshëm me 37.07% të votave, kurse Zenun Elezaj ka fituar 25.70% të votave.
Nga rivali i Bashotës në balotazh, Zenun Elezaj është bërë e ditur se do ta ketë përkrahjen e partive tjera në garën e 19 nëntorit.
Ai ka theksuar se ka arritur marrëveshje gojore me LDK-në, por që nuk do t’i mungojë edhe përkrahja e partive tjera.