fbpx

Ky është biznesmeni që e la pa shtëpi plakun ferizajas

  24 Oct 2017

Rrënimi i shtëpisë së 73 vjeçarit nga Ferizaji, Mustafë Ramadani, bëri bujë ditëve të fundit, e sidomos kur atë e mori në shtëpi e vetë deputeti Labinot Tahiri.

Tahiri kishte thënë se po merr në përkujdesje plakun që mbeti pa shtëpi pasi një biznesmen ia rrënoi shtëpinë, por duke mos përmendur emrin e biznesmenit.

‘Ia rrëzuan shtëpinë, nuk e di ku do të flej ky axhë i lodhur, por i shkretë nuk është sepse nuk e lëm ne që të ndjehët i shkretë’, shkroi deputeti Tahiri.

Ndërkohë, Metro merr vesh se biznesmeni për të cilin thuhet se ka rrënuar shtëpinë është Ekrem Bibaj.

Kështu ka thënë për Gazetën Metro, drejtori i urbanizmit për komunën e Ferizajit, Faik Grainca. Mirëpo, ai ka sqaruar se prona në të cilën jetonte plaku kishte qenë në pronësi të INFRAKOSIT, e që iu kishte dhënë në shfrytëzim kompanisë së biznesmenit të njohur ferizajas.

‘Objekti në fjalë është rrënuar nga ana e një biznesmeni, i cili ka ofruar sot në komunë një kontratë që e ka me Infrakosin për ta shfrytëzuar hapësirën ku gjendet ai objekt, do të thotë Infrakosi ka qenë ngjarje sipas të gjitha gjasave për këtë veprim të këtij biznesmeni, pasi ja ka dhënë këtë kontratë në shfrytëzim. Biznesmeni është Ekrem Bibaj ‘, u shpreh Grainca.

Metro ka provuar të kontaktoj me INFRAKOS’in për të kuptuar më shumë rreth marrëveshjes me biznesmenin, por ata nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Kontakti ka qenë i pamundur edhe me biznesmenin ferizajas. Në faqen zyrtare të kësaj kompanie nuk figuron ndonjë numër kontakti.

Edhe Drejtori i gjeodezisë, pronës dhe kadastrit në komunën e Ferizajt, Fatmir Azizi, ka thënë për Gazetën Metro se shtëpia e plakut është rrënuar privatisht.

‘Nuk e ka rrënuar komuna shtëpinë, ajo ka ndodhur privatisht’, tha Azizi.

Gazeta Metro, ka provuar të kontaktojë edhe me menaxhmentin e Infrakos’it në komunën e Ferizajit, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Sipas zyrtarëve komunalë, problemi qendron edhe tek plaku ferizajas pasi, siç thonë ata, iu kishte ofruar shërbim, por nuk kishte pranuar të largohej nga ajo pronë.

Ndryshe, shtëpia ku po qëndronte plaku 73 vjeç u rrënua para disa ditësh.