Kush është ky person që po i shpallë të vdekur artistët shqiptarë
Vetëm pak ditë më parë ishte përhapur një lajm aspak i mirë, kinse si pasojë e një aksidenti ka humbur jetën artisti i njohur Sabri Fejzullahu.
Ky lajm ka qarkulluar për disa orë ku edhe ka shqetësuar shumë familjarët e këngëtarit të cilët janë shprehur shumë te nervozuar me këtë lajm të rremë.
Pas kësaj këngëtari i njohur kishte reaguar duke thënë se ky lajm ishte i rremë dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë.
Sabriu së fundmi për Express ka treguar se këtë lajm të rremë e ka përhapur një person nga Maqedonia për të cilin thotë se nuk ia di as emrin dhe as mbiemrin por edhe kur ta mësoj ai nuk do të jetë hakmarrës.
“Unë e di vetëm që është i Maqedonisë, emrin e mbiemrin nuk ia di. E di cili është me parë ka kontaktua me mua, por emrin nuk ia di. Më ka thënë se dëshiron të më hap një Instagram, por i thash që nuk kam nevojë e i mbet hatri. Besoj se do t’ia gjej emrin, por unë nuk jam hakmarrës, mua veç më janë dhimbsur Ariana e vajzat e mia. Atë nuk do ta padis, se nuk dua të merrem me të, veç me ia bë me dije se nuk duhet të luaj me këso gjëra”, është shprehur ai.
Por, kush po i shpall të vdekur artistët e estradës?
Kjo ngjarje me Sabriun nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur. Kohë më parë një lajm të tillë kanë bërë edhe për këngëtaren e njohur Leonora Jakupi, e që doli të mos jetë i vërtetë.
E vetëm disa orë më parë një lajm tjetër u shkrua edhe për Vali Corleonen nga një portal Cudira.life, për të cilin u tha se mbrëmë u vra nga serbët.
Express ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Vali, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur gjatë ditës.
Për këto raste kanë dëgjuar edhe në Policinë e Kosovës. Zyrtarët policor kanë thënë për Express se deri më tani këta artistë të cilët janë shpallur si të vdekur nuk kanë bërë ankesë asnjëherë në polici dhe për këtë nuk mund të marrin masa.