Kush është i përzgjedhuri i Albin Kurtit që lexoi letrën e tij nga burgu?

  17 Dec 2017

Heshtja e Albin Kurtit ndaj ofendimit të deputetës Aida Dërguti dhe zhvillimeve të ngjara gjatë kësaj jave në Lëvizjen Vetëvendosje, u thye sot, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti dhe ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje foli për përçarjen brenda subjektit dhe për ofendimin e Dërgutit kundër tij. Kurti shprehu nevojën për transparencë më të shtuar dhe kritikoi “disa njerëz” brenda partisë, që sipas tij, kur i humbin privilegjet mendojnë se atyre u është bërë padrejtësi.

“Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i VETËVENDOSJE!-s është i nevojshëm por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm”, thuhej në letrën e Kurtit, dërguar nga burgu.

Në pamundësi për të lexuar letrën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Kurti e caktoi aktivistin dhe drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia.

Kur doli në foltore, Vitia nuk tregoi përse ai ishte i përzgjedhuri i Kurtit për të lexuar letrën.

“Më lejoni që të lexoj letrën, dërguar nga Albini, i cili për shkak të pamundësisë për të lexuar këtë letër, më ka caktuar mua që ta lexoj këtë letër”, u shpreh Vitia, para se të fillonte leximin e letrës së dërguar nga Kurti.

Por, kush është Arben Vitia?

Ai është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtar i Komunës së Prishtinës. 44-vjeçari ka lindur në Prishtinë, ku jeton ende. Që nga viti 2010, Vitia është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE ku angazhohet në Komitetin për shëndetësi.

Vitia është drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, me kryetar Shpend Ahmetin.

Për punën e tij në Komunën e Prishtinës, Vitia shpeshherë është lavduar nga kryetari Ahmeti, raporton Insajderi.

Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ai garoi për Asamble Komunale në Prishtinë. Ishte i dyti në listën e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për Asamble dhe doli kandidati më i votuar. Madje, Vitia ishte asamblisti më i votuar në Kosovë.

Për nga aktivitetet e përbashkta dhe puna në Komunën e Prishtinës prej katër vitesh, ai është parë si njeri i afërt me Shpend Ahmetin.

Por, Vitia ka miqësi edhe me kryetarin aktual të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, për të cilin kishte thënë se është “njeri i mrekullueshëm”.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.