Kush do të jenë kandidatët për kryetar të LDK’së?
Kush do të jenë kandidatët për kryetar të LDK’së?
Lidhja Demokratike e Kosovës, më gjasë nuk do ta ketë më në krye të saj Isa Mustafën, i cili për dy mandate radhazi, qeverisi me këtë parti. Ndonëse ky i fundit asnjëherë nuk ka folur për rikandidimin ose jo në zgjedhjet brendapartiake që pritet të mbahen në vitin 2019. As me statut të partisë nuk kufizohet mundësia se sa herë mund të jesh në krye të këtij subjekti politik. Deri më tani, të paktën pesë emra të anëtarëve të LDK-së janë përfolur për mundësinë që të kandidojnë si pasues të Mustafës.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbajë Kuvendin e 9’të Zgjedhor në vitin 2019. Por, kush do t’i hyjë garës për ta drejtuar këtë subjekt, mbetet të shihet. Megjithatë, emrat që janë apostrofuar deri më tani prej zyrtarëve të LDK-së janë Lutfi Haziri, Agim Veliu, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti.
Vjosa Osmani edhe në vitin 2015 kishte shfaqur ambicie që ta marrë udhëheqjen e LDK-së. Zgjedhjet atëkohë në LDK nisën me përplasje brenda partisë. Madje haptazi u prishën raportet në mes saj dhe Mustafës, kur ajo doli kundërkandidate e tij, raporte këto që u normalizuan në zgjedhjet e qershorit. Vjosa Osmani e cila doli të jetë gruaja më e votuar në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, me gjasë do ta synojë prapë pozitën e kryetares së LDK-së.
Express ka provuar të marrë një qëndrim të personave të cilët mund të jenë pretendentë për kryetar të LDK’së. Përpos Avdullah Hotit dhe Lumir Abdixhikut, të tjerët nuk janë prononcuar.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të qershorit, Isa Mustafa ia besoi Avdullah Hotit kandidimin për kryeministër. Kjo edhe tregon për raportin që dyshja ka në mes vete. Megjithatë, për Express, shefi i grupit parlamentar të LDK-së tha se ende nuk është koha të flitet për këto tema dhe se LDK e ka kryetarin e saj. Ai nuk tregoi nëse ka ambicie që në vitin 2019, të zë vendin e ish- liderit të tij.
“Në 2019-ën është afati i rregullt, kjo nuk është teme aktuale sepse LDK e ka kryetarin e saj që e ka kthy partinë të parën në vend”, tha shkurt Hoti.
Edhe anëtari më i ri i LDK-së i cili iu bashkua këtij subjekti pak para zgjedhjeve të qershorit, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, emri i së cilit është përfolur për kryetar të kësaj partie nuk tregoi nëse vetë ai do të garojë, por tha se për tema të tilla do të flitet kur të vjen koha.
“LDK e ka një kryetar, i cili po e udhëheq partinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi punë e obligime, të tjera ndërkohë. Tani për tani secili anëtar i LDK-së do të angazhohet në kthimin e LDK’së në qeverisje dhe me këtë kthimin e shteti në normalitet. Temat e tjera do të trajtohen kur t’iu vjen koha”, tha për Express Abdixhiku.
Isa Mustafa kishte ardhur në krye të LDK-së duke e mundur Fatmir Sejdiun, i cili e mori postin e të parit menjëherë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës.
Sejdiu që aktualisht mban postin e kryetarit të nderit, kishte drejtuar akuza të rënda ndaj Isa Mustafës gjatë një interviste për Express. E kishte kërkuar edhe dorëheqjen e tij. “LDK-ja e ka marrë teposhtën nga menaxhimi i dobët i Isa Mustafës”, kishe deklaruar ish- kryetari i LDK-së.
Rezultatet pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 22 tetor e kanë renditur LDK’në e Isa Mustafës si partinë e parë në vend.
Në muajin maj të këtij viti qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi. Qeveria e tij u rrëzua me 78 vota. 34 deputetë votuan kundër ndërsa 3 të tjerë abstenuan.