Kundërpërgjigjie për mediat Serbe! Ja kush është Hashim Thaci në të vërtetë

  13 Oct 2017

Karriera politike

Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.

Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar.

Hashim Thaçi është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

Hashim Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.

Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016.

Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përvoja akademike

Hashim Thaçi ka diplomuar në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet post-diplomike në fushën e Historisë së Evropës Juglindore dhe Shkencave Politike i ka bërë në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996 – 1998).
Hashim Thaçi – Biografi

Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.

Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për President të Kosovës.

Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambouillet në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999.

Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

Si Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe nga kongresmenë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.