fbpx

Kryeministri Haradinaj në QKUK

  23 Dec 2017

Kryeministri Ramush Haradinaj dyfishimin e rrogës së tij e ka arsyetuar duke thënë se paga e vogël mund ta cënojë integritetin e tij dhe të korruptohet.

Haradinaj gjatë një vizite sot në QKUK, është pyetur nga Gazeta Shneta nëse edhe mjekët janë të cënuar nga korrupsioni me rrogat shumë më të vogla sesa ai.

Kryeministri ka thënë se kjo vlen për të gjithë, përfshirë edhe mjekët të cilët paguhen rreth 600 euro në muaj, 5 fish më pak se Haradinaj.

Vlen për të gjithë ne, rroga jo e dinjitetshme ta vështirëson pozicionin jetën funksionimin”, ka thënë ai.

Megjithatë Haradinaj tha se pozita e tij është shumë më e rëndësishme sesa ajo e mjekëve.

“Përgjegjësia e atyre që menaxhojnë me vendin është e lartë dhe integriteti i tyre duhet me u ruajt. Njëri nga ne mund të jemi të qëndrueshëm. Unë nuk po them se kam qenë i cënuar sepse kam edhe disa të hyra. Sot jam unë, nesër është dikush tjetër, duhet të ruhet integriteti i institucioneve dhe poashtu i mjekëve”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se rritja prej 5 për qind e rrogave për mjekët ka filluar dhe sipas tij rritje do të ketë sërish.

Në anën tjetër sindikalistët kanë paralajmëruar protesta e greva në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, përfshirë rritja prej 15 për qind e rrogave.