Që 18 vite prodhuesit e ujit në Kosovë e mashtruan shtetin duke mos paguar asnjë cent për shfrytëzimin dhe shkarkimin e ujërave dhe shfrytëzim të inerteve. Borxhet e tyre ndaj shtetit janë afër 60 milionë euro.
Megjithatë asnjë cent nuk do ti paguhet shtetit. Kjo falë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e morri këtë javë një vendim të çuditshëm duke ua falur të gjitha borxhet. Ky vendim u mor përkundër faktit se shumë nga kompanitë që u falen ishin dënuar për mashtrim më herët nga gjykatat dhe shumë tjera ende janë në proces gjyqësor me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.
Në listën e borxhlinjve figurojnë edhe Ujë Rugove me pronar Visar Klemendin dhe Birra Peje e cila është në pronësinë e kompanisë Devolli.
Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi i cili e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.
“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Struykturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.