fbpx

Kriza në VV: Drejtorët e Shpend Ahmetit që përkrahin Albin Kurtin(FOTO)

  16 Dec 2017

Dy ish-drejtorë dhe një drejtor aktual në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës kanë mbrojtur Albin Kurtin, pas ofendimit që ish-kreu i partisë pranoi nga deputetja Aida Dërguti.

Ish-drejtorët e drejtorive në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla dhe Liburn Aliu, ishin emëruar në detyrë nga kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, ashtu sikurse drejtori Hysen Durmishi.

Sveçla kishte shërbyer si drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit, ndërsa Aliu kishte mbajtur pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, raporton Gazeta Online Insajderi. Ndërkaq, Hysen Durmishi aktualisht mban pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Investimeve Kapitale.

Pas ofendimit të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti ndaj kolegut të saj Albin Kurti, e cila në një bashkëbisedim me anëtarët e tjerë të organizatës e kishte quajtur “m**” ish kreun e Lëvizjes, Sveçla, Durmishi dhe Aliu i kanë dalë në krah Kurtit.

Sveçla ishte i pari që mbrojti Albin Kurtin pas publikimit të mesazhit ofendues të Aida Dërgutit ndaj tij. Sveçla pyeti se çfarë padrejtësie i kishte bëri Kurti, Dërgutit, që të meritonte të ofendohej.

“Çfarë padrejtësie apo ofendimi i ka bërë Albin Kurti Lëvizjes, apo vetë deputetes Aida Dërguti? Përkundrazi, Albin Kurti ka qenë një nga njerëzit që e kanë mbështetur më së tepërmi Aidën, edhe si deputete, por edhe si kandidate për kryetare në Vushtrri”, deklaroi Sveçla.

Sveçla po ashtu zbuloi se brenda Lëvizjes Vetëvendosjes ka anëtarë që kushtëzojnë kandidimin e Labin Kurtit për kryetar të partisë.

“Fatkeqësisht, më duhet ta pranoj këtu, se ka pasur nga ata që kanë vendosur kushte dhe kanë bërë shantazh, me të vetmin qëllim që të mos kandidojë Albin Kurti për kryetar të Lëvizjes”, kishte thënë Sveçla.

Madje, pasi Molliqaj u deklarua rreth ndarjes në grupe të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe u shpreh se mendon që “për Lëvizjen është më mirë që Kurti të mos kandidoj për kryetar të organizatës”, Hysen Durmishi e quajti “rrenc” Molliqajn.

“Rrej Dardan rrej sa të mundesh e mos u ndal. E ke gjetë edhe vendin ku me rrejt, pikërisht aty ku e nise te Batoni. More Dardan po 35 faqe të shkruara i ke pas nga Albini dhe ti ishe ai që kurrë nuk e ke lejuar të diskutohet në asnjë forum të Lëvizjes”, deklaroi Durmishi të enjtën.

“Tash po viktimizohesh skajshmërisht. E gërditshme”, shkruante drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, teksa akuzonte Molliqajn.

E ish-drejtori i Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në qeverisjen e Shpend Ahmetit në Prishtinë, Liburn Aliu akuzoi Dardan Molliqajn se ka shantazhuar Albin Kurtin. Tha se ish-sekretari Organizativ ka kushtëzuar kandidimin e Kurtit për kryetar të Lëvizjes.

“Molliqaj është shantazhues kur thotë se unë largohem nëse Kurti kandidon. Ky ka qenë edhe momenti i thyerjes me të. Ka pasur tendencë që të krijohet një lloj grupi kundër kandidimit të Kurtit”, tha Aliu të mërkurën, në një intervistë për Interaktiv.

Aliu mbrojti deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje që momentalisht ndodhet në burg. Ai tha se e mbështet kandidimin e mundshëm të Kurtit për kryetar të partisë. “Unë do ta mbështes Kurtin nëse kandidon për kryetar dhe mendoj se 95 për qind të anëtarëve do ta mbështesnin po ashtu”.

Albin Kurti momentalisht ndodhet në Qendër të Paraburgimit, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një masë paraburgimit prej 30 ditësh, më 4 dhjetor.