Krisin grushtet në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së
Kryesia e degës së LDK-së në Mitrovicë sonte mbajti mbledhje ku me shumicë mori vendim që të qendroj neutrale në zgjedhjet e balotazhit më 19 nëntor, vendim i cili kishte për pasojë edhe grushtimin e një anëtari të kryesisë.
Veriu.info mëson se 4 anëtarë të kësaj kryesie kanë votuar që LDK të hyj në koalicion me Agim Bahtirin, kërkesë e cila është mbështetur nga 80% e nëndegëve, por që është shpërfillur nga Kryesia e drejtuar prej kryetarit Safet Kamberi, i cili për tri vite ka qenë nënkryetar i Agim Bahtirit.
Burime të Veriu.info nga mbledhja e Kryesisë bëjnë të ditur se pas përfundimit të mbledhjes, drejtuesit e disa nëndegëve e kanë pritur kryesinë te dera, posaçërisht kryetarin Safet Kamberi dhe nënkryetarin Naim Hajra.
“Përfaqësuesit e nëndegëve janë tensionuar shumë kur e kanë kuptuar se klani i Safet Kamberit ka vendosur që mos të hyj në koalicion me Agim Bahtirin dhe rrjedhimisht mos t’i dilet kundër PDK-së. Ata janë vërsulur në drejtim të Safet Kamberit të cilin e kanë përplasur mbi kumpjuter, ndërsa gjatë tollovisë e kanë shtyer shumë edhe Kujtim Isën, i cili nuk ka qenë cak sulmi, por vetëm është mundur ta parandaloj konflikin. Cak i sulmit ka qenë Naim Hajra, i cili tinëzisht është fshehur në WC, por që në vend të tij është grushtuar një anëtar tjetër i Kryesisë”, ka thënë burimi i Veriu.info nga Kryesia e LDK-së.
Siç kupton Veriu.info nëndegët e LDK-së nga nesër do të bëjnë veprime konkrete për ta kundërshtuar këtë vendim të kryesisë.
Ndryshe, Safet Kamberi i LDK-së nuk ka arritur të hyj në balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit, që është hera e tretë radhazi që LDK nuk mund të hyj në balotazh për shkak të hyrjes së AKR-së.