“Krahu i luftës” nuk gjenë paçe as në liri!

  27 Oct 2017

“Krahu i luftës” u bashkua për t’i udhëhequr institucionet e vendit, por çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi i ka ndarë ata.

Mospajtimet e para të ish-udhëheqëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tani drejtues të institucioneve kanë ardhur pas formimit të Komisionit të ri Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi.

Është Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ai i cili nuk pret asnjë risi nga ky komision sa i takon çështjes së Demarkacionit. Në anën tjetër Kryeministri Ramush Haradinaj, insiston në zbardhjen e të vërtetës rreth marrëveshjes për vijën e kufirit, ndonëse e vëren se vendi ndodhet në një situatë të papërshtatshme me këtë çështje.

“Për çështjen e kufirit fatkeqësisht është situatë shumë e papërshtatshme. Nuk na pëlqen që jemi në këtë realitet, sepse është një marrëveshje që duhet arritur nga dy qeveritë.

E ndërmora, një qasje jo shumë të përkrahur nga partnerët ndërkombëtarë, andaj e lirova Komisionin e kaluar dhe e krijuam një të ri, dhe u dhamë mundësinë ta zbulojnë të vërtetën për marrëveshjen për vijën e kufirit”, ka thënë Haradinaj mbrëmë për RTK.

Kurse Presidenti Thaçi, ka deklaruar se mund të bëhen edhe shumë komisione shtetërore për të rishikuar çështjen e Demarkacionit, por asnjë prej tyre nuk do të mund ta kontestojë rezultatin e komisionit të parë, pasi, sipas presidentit, vija kufitare është e saktë.

“Vlerësoj përkushtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të gjetur një zgjidhje dhe dalje nga kjo situatë e Demarkacionit në të cilën jemi tani. Megjithatë, mund të ketë komisione të ndryshme, por saktësinë e Demarkacionit s’mund ta kontestojë askush. Unë jam nënshkrues i marrëveshjes së Demarkacionit, i kam besuar komisionit shtetëror për Demarkacionin dhe edhe sot i besoj”, ka deklaruar Thaçi për Klan Kosova.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike Azem Vllasi, mospajtimet ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj, i sheh si rezultat i qëndrimeve të tyre në të kaluaren.

“Mospajtimet e tyre që shihen edhe tani vinë nga koha kur z. Haradinaj ishte në opozitë dhe pohonte se marrëveshja nuk është e mirë dhe Kosova po humbte 8 mijë hektarë, ndërsa Presidenti Thaçi, atëbotë i autorizuar nga Qeveria si Ministër i Punëve të Jashtme është nënshkrues i asaj marrëveshje. Tani në mes të tyre ekzistojnë ato pozicione të ndryshme dhe diferenca që i kanë pasur në atë kohë kur z. Thaçi ishte pjesë e Qeverisë, pasi që asnjëri nuk ka lëvizur nga qëndrimet e tyre që i kishin në atë kohë”, ka deklaruar Vllasi për “Gazeta Blic”

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.

Komisioni Evropian i ka vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

 

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.