KQZ tregon se kur numërohen votat me kusht, ku përfundimisht do të dihen fituesit e Prishtinës dhe Prizrenit!
KQZ njofton se pas përmbylljes së procesit të votimit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore.
“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat, sipas procedurave të parapara. Deri më tani, materiali i ndjeshëm zgjedhor është pranuar nga pjesa më e madhe e këtyre komunave”, thotë KQZ përmes një komunikate për media.
Sipas këtij Komisioni, pas pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor, sipas procedurave, është duke u bërë edhe skanimi i Listës Përfundimtare të Votuesve e cila është përdorur në vendvotime si dhe do të bëhet skanimi i Formularëve të Rezultateve të krijuara në vendvotim, të cilët më pas do të pubikohen në faqene KQZ-së.
KQZ më tej shton se pas përfundimit të të gjitha procedurave, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të paraqesë në KQZ një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta; dhe votave përmes postës.
“Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së Rezultateve Përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetar Komune dhe nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Parteshit”, vijon komunikata.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim të transparencës thotë se do të njoftojë me kohë mediat dhe vëzhguesit për fillimin e numërimit të votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës.
Shumica e komunave të Kosovës janë në pritje të rezultateve të votave me kusht dhe atyre përmes postës për të përcaktur fituesin.
Gara më e ngushtë po zhvillohet në Prishtinë dhe Prizren mes Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së dhe LDK-së