fbpx
“Kosova po ndikon në rritjen shumë të madhe të ndikimit rus në Serbi”

“Kosova po ndikon në rritjen shumë të madhe të ndikimit rus në Serbi”

  10 Mar 2019

Ndikimi i Rusisë është shumë i madh dhe ai nuk është në proporcion me investime që ajo i bën në Serbi e kjo s’i ka hije një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë për FoNet analisti i zhvillimeve ndërkombëtare Boshko Jakshiq.

Ai ka vlerësuar se ndikimi rus po shtohet me shpejtësi shumë të madhe qëkur ka shpërthyer kriza e Kosovës ndërsa ka theksuar se “Kosova është alfa dhe omega e politikës së Jashtme të Serbisë.

Ka shtuar se Serbia nuk po e balancon politikën e vet ndërmjet Kremlinit, Washingtonit e Brukselit, ndërsa ka shfaqur mendimin se çdo gjë do të ndryshojë në momentin e zgjidhjes së kontestit me Kosovën dhe sapo të mbyllet ndikimi i kanalit rus.

“Atëherë entuziazmi që Rusia po e ndërton përmes pansllavizmit, panortodoksizmit duke e përdoru edhe kishën si instrument të fuqishëm për ndikimin e saj, do të venitet”, ka thënë Jakshiqi, transmeton Koha.net.

Ai parasheh se në atë rast qytetarët e Serbisë do të veprojnë përmes xhepit e jo përmes zemrës dhe atëherë do të pushojë iracionaliteti në raport me Rusinë i cili edhe po ndan Serbinë.

Jakshkiqi ka thënë se presioni i Rusisë është shtuar qëkur iu largu Mali i Zi dhe qëkur e nisi këtë rrugë edhe Maqedonia.

Pasi të largohet edhe Maqedonia, bastionet të Rusisë do të ketë vetëm në Serbi e në Republikën Serbe, ndërsa Ballkani Perëndimor do të bëhej një poligon i vogël e asaj që tashmë shumëkush e quan luftë të ftohtë, tha në fund Jakshiqi.