fbpx

Kosova i përgjigjet Serbisë pas reagimit për tarifën për miellin

  01 Nov 2017

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Rasim Lajiq, i cili ka kërkuar heqjen e tarifës për importuesit e miellit nga Serbia, duke ia kujtuar se Kosova është shtet që vendos sipas ligjeve të veta.

“Pas marrjes së vendimit për vendosjen e çmimit anti-dumping nga ana e Ministrisë që unë drejtoj për miellin që importohet nga Serbia kemi pasur ankesën e Serbisë që ta heqim këtë taksë. Unë dua t’ia përkujtoj ministrit Rasim Lajiq dhe Serbisë se Kosova është shtet dhe vendos sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, tha Hasani për KALLXO.com.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka raportuar se vendimi i MTI-së, i marrë më 19 tetor, ka përcaktuar taksën prej 4 centë për kilogram për importuesit e miellit nga Serbia në Kosovë për shkak të dyshimeve se ky produkt po hyn në Kosovë me çmime dumping apo nën koston e prodhimit.