“Koalicioni” me të cilin Abrashi thotë se do ta fitojë Prishtinën

  23 Oct 2017

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se dallimi në vota mes tij dhe kundërkandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka mundur të jetë edhe më i ngushtë.

Ahmeti, pas numërimit të 91.1 për qind të votave, numëron 34.407 vota të fituara apo kthyer në përqindje 43.49 për qind.

Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arban Abrashi ka fituar 35.87 për qind të votave deri më tani.

“Sikur të kisha më shumë kohë, dallimi prej 6 mijë votave do të ishte edhe më i ngushtë”, ka thënë Abrashi në KTV.

“Ka shumë grupe interesi të cilat s’i kam takuar e të cilat do t’i takoj. Mendoj se programi im nuk është shpërndarë tek të gjithë qytetarët. Shumë prej tyre besoj nuk i kanë parë zgjidhjet tona”, ka shtuar ai.

Abrashi është shprehur i sigurt se përmbysja e 6 mijë votave është e mundur.

“Ende s’kemi filluar diskutimet për ndonjë koalicion, sepse është ende herët. Shtylla e projektit tonë ka të bëjë me aleancën me qytetarët”, tha ai.

Ndonëse kandidati i AKR-së për Prishtinën, Selim Pacolli, ka deklaruar haptazi se e mbështet Shpend Ahmetin në balotazh, Abrashi tha se ka marrë mesazhe nga shumë zyrtarë të AKR-së.

“Më kanë kontaktuar shumë zyrtarë të AKR-së, dhe ka disponim të mirë. Por, Prishtinës i duhen projekte të mira, të vogla e të mëdha. Do të bisedoj edhe me Selim Pacollin. Megjithatë, kryesorja është aleanca me qytetarin”, u shpreh ai.

Kandidati i LDK-së për Prishtinë tha se nuk dëshiron të rrezikojë me koalicion me PDK-në sepse nuk e di se si do të reagojnë qytetarët, ndërsa e përmendi edhe deklaratën e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj, se ka qenë partia e tij, PDK, që i ka ndihmuar VV-së më 2013 për të fituar Prishtinën.

“Në Prishtinë, në 4 vjetët e fundit ka pasur shumë propagandë. Ndonjëherë befasohem se me çka krenohet (Ahmeti) në Prishtinë. Prishtinës i duhen projekte shumë të mëdha sepse ka shumë buxhet. Me udhëheqjen time, Tirana do ta merr Prishtinën si referencë. Në 4 vitet e fundit kemi humbur 70-80 milionë euro. Kemi humbur shumë sektorë që nuk e shohin më Prishtinën si opsion. I ftoj qytetarët të dalin në lagje dhe të shohin a ka ndonjë përmirësim për të mirë. Do ta shohin se ndryshimi është për të keq. Ka dhjetëra parqe të vogla që janë zhdukur. Një komunë që s’di t’i menaxhojë këto parqe të vogla, s’di si mund të dalë e të kërkojë votë”, tha Abrashi.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.