KOALICIONET E BALOTAZHIT – KUSH MË KË, KUNDËR KUJT
Qysh prej daljes në publik të rezultateve të Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit, partitë, kandidatët e të cilëve kanë shkuar në balotazh, kanë filluar bisedimet me partitë e tjera që nuk kanë arritur të shkojnë balotazh.
Janë gjithsejt 19 komuna, të cilat do të zgjedhin kryetarin e tyre përmes balotazhit. Secila parti e madhe, përfshirë PDK-në, LDK-në, Vetëvendosjen, AAK-në, AKR-në, NISMA-n dhe Lista Serbe kanë mbetur në garën e balotazhit. Edhe partia e re, Alternativa, është balotazh në Gjakovë.
Deri më tani, shumë nga partitë e balotazhit kanë zhvilluar takime e bisedime me partitë e tjera të vogla por pak koalicione janë arritur.
Komunat të cilat kanë arritur marrëveshje për koalicione politike janë vetëm ajo e Vushtrrisë dhe komuna e Kamenicës. Në këto dy qytete tashmë është bërë publike që ka koalicione mes partive për raundin e dytë zgjedhor të 19 nëntorit.
PDK dhe AAK kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion për raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Vushtrrisë.
PDK në komunën e Vushtrrisë mori gjithsej 8 mijë e 635 vota, ose 30.77 %, ndërsa AAK mori gjithsej 2 mijë e 169 vota ose 7.73 %.
Lutfi Bilalli nga AAK me këtë marrëveshje po i del në ndihmë Ferit Idrizit të PDK-së në garën kundër Xhafer Tahirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Koalicion mes partive është bërë edhe në komunën e Kamenicës, mes tri partive: LVV-së, AAK-së dhe AKR-së, kundër LDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje në Kamenicë ka publikuar edhe draft-marrëveshjen për bashkëqeverisje.