Klopp zbulon çfarë i tha Messit pas ndeshjes në Camp Nou
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka zbuluar se çfarë i kishte thënë yllit të Barcelonës, Lionel Messit, pas superparaqitjes së tij në ndeshjen mes të dy klubeve, javën e kaluar në “Camp Nou”.
Lionel Messi i shënoi dy gola, përfshirë këtu një supergol nga gjuajtja e lirë, duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve me rezultat 3:0 kundër Liverpoolit, që edhe pse luajti mirë, nuk arriti t’i shfrytëzojë rezultatet, transmeton Gazeta Express.
Sonte në orën 21:00, Liverpooli do ta presë Barcelonën për ndeshjen kthyese, pas së cilës do të zbulohet finalisti i parë i këtij sezoni të Ligës së Kampionëve. Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, Kloppi tregoi se çfarë i kishte thënë Messit.
“Nuk e di saktësisht çfarë i thash, që të jem i sinqertë. Mirëpo, në atë moment, mendoj se i kam thënë diçka si: “Pse e bërë këtë””, është shprehur Kloppi.
“Kudo që të jetë Messi, do të jetë e vështirë të përballemi me të. Nëse ti rrezikon kundër Barcelonës, ata të ndëshkojnë. Duhet të jesh i mirë gjatë gjithë kohës”.
“Duket se ne duhet të jemi të përsosur. Duhet të jetë festë e futbollit. Është e mundur që kjo të jetë ndeshja jonë e fundit për këtë sezon të Ligës së Kampionëve, kështu që le ta festojmë me zemrën dhe mushkëritë tona”.
Braziliani Roberto Firmino nuk është rikuperuar ende nga lëndimi i tij muskulor, ndërsa egjiptiani Mohamed Salah e lëndoi kokën në ndeshjen e së shtunës kundër Newcastle-it.
“Dy ndër sulmuesit më të mirë në botë nuk i kemi në dispozicion dhe duhet t’i shënojmë katër gola. E di që jeta nuk është e lehtë, por ne do të tentojmë”, ka thënë Klopp, i cili i ka katër opsione për këto dy pozita për ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. /Gazeta Express/