Kjo i duhet armatës së Vetëvendosjes
Avokati Arianit Koci, ka komentuar përçarjet e fundit që kanë ndodhur në Vetëvendosje, pas sms që ka dal në publik, ku Aida Dërguti ka fyer Albin Kurtin.
Koci në një status në Facebook ka thënë se sulmet ndaj Aidës, nga armata e indoktrinuar në ideologji, më së shumti e dëmtojnë Albinin.
Ky është postimi i plotë i Kocit:
Një shkollë për armatën që linçojnë
Nuk e përkrahi VV:
As frymën, as idenë e as veprimet. Fakti që nuk i përkrahi, nuk do të thotë që nuk duhet të ekzistojë një parti e tillë. Përkundrazi! VV si parti i duhet skenës tonë politike.
Sidoqoftë, VV e identifikoi me Albinin – dostin tim e të vëllaut tim – Arbërit! E njoh një kohë të gjatë dhe thjesht, i besoj si intelektual e si patriot. Nuk i besoj metodave të tija. Madje, jam kundër!
Nëse dikush, më pëlqen në VV, pas Albinit – është Aida dhe Glauku. Natyrisht, Puhien e kam pasë favorit, dhe i mungon shumë skenës tonë politike.
Po kthehem te aktualiteti: Si është shprehur Aida – nuk është në rregull. Por, gjithë ne kemi momente të dobëta. Gjithë ne jemi shprehur ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme – sidomos për shefat. Por, mos harroni se fyerja që Aida i ka bërë Albinit s’është bash asgjë në raport me atë që kemi dëgjuar e dëgjojmë për çdo ditë. Fjala e përdorur nga Aida është shumë më e lehtë se epiteti kriminel, haraçmbledhës, zagar e vrasës.
Shumëherë, i kemi ra pishman pse kemi përdorë shprehje të tilla. Por, mos të moralizojmë. Nuk është fundi i botës. Sulmet ndaj Aidës, nga armata e indoktrinuar në ideologji, besoj që më së shumti e dëmtojnë Albinin: nuk është profet dhe nuk është njeri i mbërrimë. Prandaj, kërkimfalja besoj që mjafton – për neve, publikun. Neve që nuk jemi me VV. E sa për vet VV – le t’i zgjedhin problemet e veta partiake – pa na ngarkuar neve të tjerëve.
I mbetet Albin Kurtit me shokë të nisë edukimin e përkrahësve të tij dhe të Vetëvendosjes. Të mos funksionojnë sikur robotë e kafshë. Të pranojnë edhe mendimin ndryshe edhe nëse është kundër Zotit të tyre, Babës së tyre, Liderit të tyre.