Kimete Berisha kritikon ashper kryministrin Haradinaj dhe Selim Pacollin!
Çfarë qeverie!
A e keni parë atë horrorin, ku regjisori i bashkon në film të gjithë vampirët dhe lugetërit që i ka njohur deri sot kinematografia botërore, prej Drakulës, Michael Myers, Hanibal Lecter, Jasoni i Friday 13th, American Psycho, Chucky, Samara e deri te djalli më i vogël, Omeni.
Aq shumë ka vampira në atë film, sa në vend se të frikësohesh, ty të qeshet, sepse frika e mund frikën. Dhe sepse, ku ka shumë frikë, frika bëhet qesharake.
E tillë, si ky horror, është qeveria e Kosovës, që s’ka harruar asnjë njeri negativ e asnjë “fantazmë” të njohur e të panjohur për publikun, pa e bërë pjesë të saj.
(Përfshirë atë ministren me frizurë dykatëshe, e cila ka fituar “Bingo”, gati 20-të vite pasi e ka udhëhequr emisionin “Telebingo”).
Më së pari, Ramush Haradinaj, as deri te “zogu” i këmbës (tani për tani) nuk i afrohet Isa Mustafës.
Ish Kryeministri s’ka pasur asnjë kompleks ndaj serbëve dhe me elegancën më të madhe, në mënyrën më natyrore të mundshme e ka larguar Aleksandër Jabllanovicin nga qeveria, pse ky i ka ofenduar nënat shqiptare.
Ndërsa, Ramush Haradinaj nuk pret hiç nga ministri i tij serb, t’i ofendojë shqiptarët, Kryeministri i ofendon vet, nuk i dridhet buza, as s’i vjen keq, e bën avokatin e ministrit të tij, me arrogancën më të vrazhdtë i ofendon shqiptarët, pa fakte, spekulon dhe ia lejon vetes të thotë se “ata shqiptarë që janë kundër Nenad Rikalos, janë uzurpatorët e banesës së tij”.
“Habitati” dhe organizata të tjera ndërkombëtare nuk kanë lejuar t’u uzurpohen banesat serbëve.
Përkundrazi, shumë serbë, një banesë ua kanë shitur 100 shqiptarëve (e shqiptarët bë kërrsh mes vete), dhe plus krejt veriu i Mitrovicës është i uzurpuar, po nejse.
Pra, ti edhe me dasht se nuk ke pasur shans t’ia uzurposh (apo t’ia mbash të uzurpuar) banesën Nenad Rikalos.
Alesandër Lumezit prej se i ka humbur telefoni, e ka humbur vullnetin, as nuk inicion hetim për vërtetësinë e akuzave të Kryeministrit, as asgjë. Ku me ditë çfarë mesazhesh ia kanë lexuar në telefon, që nuk ka hesap ta kryej punën e tij, qysh di ai.
– Ne jetojmë në një vend të çmendur ku gruaja e punësuar në postë (e motivuar nga xhelozia) e ka bërë detektiven dhe e ka përgjuar burrin e saj. Për ironi të rastit, burri i saj ka qenë kryetar i Komisionit të Kuvendit për AKI. Tash, ti merre me mend kush e ka mbikëqyr Agjencinë e Inteligjencës, njeriu që ka qenë i përgjuar nga gruaja e tij.
Dhe, Aleksandër Lumezi (po e përmend Aleksandrin se është më simpatiku, dhe se vetëm këtij ia di emrin), nuk e vërteton se “a e ka thënë të vërtetën ajo grua, kur në komunikim me të dashurën e burrit të saj, i ka thënë kësaj të fundit, se meqenëse punon në postë, i ka përgjuar vazhdimisht, në të dy telefonat që i ka përdorë Romeo në korrespodencën e tij erotike.
(Romeos i është dukur pak një telefon për t’u shprehur).
Ndoshta gruaja ka gënjyer, nga xhelozia, ama, ne duhet ta dimë të vërtetën.
Secili njeri që punuaka në postë, mundtka të na përgjojë, a çka është puna.
Kryesore, Romeo, që për sharm i mban sytë si Merlini, gjysmë të hapur, apo gjysmë të mbyllur, i është kthyer gruas, me rekomandimin e djemëve të tij, (ia ka falë gruas krimin e përgjimeve, me kusht që mos me përgju më), ndërsa të dashurën e ka lënë me zemër të thyer, por krenare.
Me meditje të Kuvendit, Romeo e ka bërë “dashnorin”, siç rëndomë bëjnë zyrtarët e lartë të shtetit, nuk i nxjerrin paret e veta prej xhepi, por frustrohen e paraqiten “dashnorë”, siç do të thoshte Mufail Limani “jeb.ça”, me pare të shtetit.
– Mufail Limani e ka shkruar këtë këngën me “jeb.ça” për Prishtinën, dhe ia ka dhënë për ta kënduar një drenicasi, të cilin mendt e lënë me bë m’i thënë se je nga “Çirezi”, tranohet po u habite e i the “drenicak”.
E ka marrë për model këngën “Tirana” të Edi Ramës, ama Mufaili nuk ka menduar se kjo kënga e tij do të dëgjohet gjatë javës vetëm nga 40 mijë veta.
Ka kujtuar se e çon Prishtinën në këmbë.
Ka dështuar për pak ta çojë Prishtinën n’hava, shkaku se autori ka harruar të triumfojë në fund të këngës që është demoralizuese.
Pak pozitivitet u dasht, të thotë në fund të strofës, se do ta nxjerrim Prishtinën nga kthetrat e Shpendit anipse Albini tha dje se, Shpendi ka krahë, se e ka emrin shpend.
(Përfytyro Shpendin duke fluturuar mbi stacionin e autobusëve të Prishtinës, në kuadër të monitorimit).
Plus Mufaili ka harruar se “Krejt Prishtina” e dinë se Mufaili është shok i ngushtë i Kadri Veselit.
Mendja e tij, kur ta dëgjojnë rinia çfarë tragjedie paska ndodh me Prishtinën, çarten, dhe në hidhërim e sipër e votojnë Lirakun.
– Kështu, në vazhdën e ndihmave politike, edhe Edi Rama i erdhi në ndihmë PDK-së, duke ia marrë në qeverinë e tij, kundërshtarët më të mëdhenj të Presidentit Thaçi dhe PDK-së.
Hajrullahu e ka quajtur portretin e Enver Hoxhjajt në fotografi “idiot”, ndërsa Ramadan Mujës, duke e përqesh, ia ka ndërruar “ADN-në”.
Nuk dihet më se Ramadani e din ujë latinishten, e kanë “shpërfytyruar” aq shumë, sa krejt çka dihet për të është se është “kriminel plak”.
Kur Driton Selmanaj u bë politikan, Hajrullahu u pat çartë, ka pas thënë se hiç s’është e lavdueshme që pjesëtarët e shoqërisë civile të merren me politikë.
E Shahini, motër a çka e ka gruan e Enver Hoxhajt, ajo ashiqare ka protestuar kundër Hashim Thaçit dhe gjithmonë, me mendje e me zemër ka qenë me Vetëvendosjen, e dashuruar në “bishën” e kësaj lëvizjeje.
Pra, Edi Rama i ka ndihmuar PDK-së, duke i marrë me vete kundërshtarët më të mëdhenj të saj.
– Kundërshtar ndoshta nuk është, s’besoj, ama, kundërthënës, mendjemadh apo krenar, sa të duash. Selim Pacolli s’di çka ish puna e tij, secilën ndërtesë institucionale që e sheh, ia ngjet rrotat, dhe e zhvendos në imagjinatën e tij, diku në periferi të imagjinatës së tij, patjetër.
Ndërtesën e qeverisë e sheh si qendër të ardhshme tregtare, Ndërtesën e UP-së, e sheh si Qendër Islamike, Postën e sheh si Raketë, ndërsa Termokosin si minare.
Duket sikur truri i tij sheh vetëm zhvendosje, dhe kujton se problemi kryesor i Prishtinës janë ndërtesat, që nuk janë në vend të vetin.
Se, sikur ndërtesat të ishin në vendin e tyre (dhe të ndërtuara sipas shijes së tij, nga firma e tij), krejt tjetër muhabet kish qenë, nuk kish pasur kaq shumë vuajtje në Prishtinë.
Kur dha gjak (me sy kah kamerat), Selim Pacolli (pa shall të jorgovantë), shkroi në FB se “dhash’ gjak për aksidentet e ardhshme”.
A mund ta merrni me mend se si funksionon mendja e një njeriu që e përpilon fjalinë “dhash’ gjak për aksidentet e ardhshme që do të ndodhin”.
Paradite Selimi (me shall të jorgovantë) foli për Qendrën Islamike (demek, mundohet m’i josh myslimanët), kurse në mbrëmje shërbeu e piu raki e birra në një kafiteri të kryeqytetit.
P.S. I vetmi Institucion që momentalisht i jep kuptim shtetit është Presidenca. Aty së paku po ndodh diçka (përjashto Blerim Shalën, që nuk e ka vendin aty. Edhe ai do të duhej të ‘zhvendosej’, sahat e para nga aty).
Përndryshe, Ramush Haradinaj ua ka falur hajnave të ujit, 60 milionë Euro.
Por, as ky lajm neve nuk na bën të çartemi.
Pse!
Sepse, e kemi humbur besimin.
Më e keqe sesa e keqja, është indiferenca.