fbpx

Keta tre njerez i kane dhene me se shumti Vetevendosjes!

  18 Dec 2017

Shqipe Pantina i ka dalluar tre anëtarë në Lëvizjen Vetëvendosje si tre personat që më shumë se kushdo tjetër kanë kontribuar për këtë organizatë.

“Albini (Kurti), Visari (Ymeri) dhe Dardani (Molliqaj) janë njerëzit që më së shumti i kanë dhënë Lëvizjes”, ka deklaruar deputetja Pantina në Info Magazine të Klan Kosovës, duke mos mohuar kontributin e madh edhe nga anëtarë të tjerë.

“Për punët e organizatës më së shumti kanë kontribuar këta tre njerëz, për dallim, për shembull, nga Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu që kanë qenë të angazhuar në qeverisjen e Prishtinës”.

 

“Mendimet dhe idetë e këtyre tre njerëzve kyç duhet të diskutohen dhe këto diskutime duhet të sheshohen”.

Pantina ka dhënë mendimin e saj edhe për atë se kush e ka potencialin e mjaftueshëm ta drejtojë Vetëvendosjen në katër vjetët e ardhshëm.

“Mendoj se në Vetëvendosje ka shumë njerëz të përgatitur që mund ta drejtojnë Lëvizjen”.

 

“Dhe nuk ka kushtëzime, apo shantazhe. Askush nuk mundet ta shantazhojë askënd, e më së paku ta shantazhojë Albinin që të kandidojë për kryetar. Ky diskurs është i pakuptimtë”.

“Albini ka një rol të jashtëzakonshëm, por ai vet e ka krijuar frymën që askush nuk është i pazëvendësueshëm. Puna në Lëvizje është ekipore – mbi të gjitha është fryma ekipore”.

“Besoj se shumica e deputetëve duan që në Vetëvendosje të ketë demokraci të mirëfilltë, ku idetë e secilit nga ne të diskutohen”.

 

Pantina është shprehur optimiste se Vetëvendosja do ta kalojë këtë krizë – mbase më të thellën prej themelimit.

“Mendoj se do ta gjejmë rrugën përpara. Të gjithë anëtarët duhet të jenë më të durueshëm, pasi ne do ta gjejmë mënyrën se si t’i kalojmë këto sfida. Disa reagime i kuptoj, por nuk i mirëkuptoj, pasi janë reagime të pamatura”.

“Unë u kam kërkuar aktivistëve që të mos përdorin një gjuhë të tillë”.