Në një shkrim të çuditshëm për Gazetën Express, këshilltari i Presidentit Thaçi, Bekim Çollaku ka bërë një sulm të papritur ndaj një grupi njerëzish të cilët nuk i ka identifikuar. Ata i sulmon në motivet e tyre personale, për ‘urrejtjen e papërmbajtshme’ kundër atyre që ai i quan ‘çlirimtarë’.
Duke dashur të mbrojë shefin e tij, Çollaku tregohet mjaft i ashpër duke thënë që njerëzit e tillë janë jomeritorë, ndërkohë që çlirimtarët ku përfshihet edhe Thaçi, janë meritorë. Shkrimi është bërë me një qasje poetike, por pa adresën se kujt i drejtohet. Ky shkrim përbën një shenjë të qartë se Thaçi është i interesuar që të shfuqizohet Gjykata Speciale. Dhe se, edhe këshilltari i tij është i kapluar nga frika.
Bekim Çollaku grupin në fjalë e quan të mjerë, siç ka titulluar edhe shkrimin e tij. Ai ndër rreshta thotë që ky grup dëshiron “t’i hapë varrin njerëzve”. Disa fjali më poshtë ndodhet një tjetër fjali e çuditshme ku thuhet: “Kosova dhe populli ynë i vuajtur e ka një grup të tillë mjeranësh që duan të hanë kokat e çlirimtarëve të tyre”.Një cilësor i tillë përbashkues për partitë në koalicion është mjaft domethënës. Kjo konfirmon se pushteti aktual po e përdorë të përbashktën e të trija partive në koalicionin parazgjedhor qeverisës, për të justifikuar të bëmat e tyre.