Kërcënon Erdogan: Ushtrinë e kemi në kufi!
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar zonën autonome të Kurdistanit në Irak, se një natë ushtria turke mund t’u “shkojë befas” nëse vazhdojnë me planin e tyre për të shpallur pavarësinë pas referendumit.
Për këtë Erdogan solli edhe shembullin e Sirisë, kur një mesnatë gushtin e vitit 2016, ushtria turke papritur kaloi kufirin për të luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Tashmë rreziku për Presidentin turk nuk janë terroristët e ISIS, por Kurdistani në Irak.
Presidenti i administratës autonome të Kurdistanit Masud Barzani ka thirrur një referendum për pavarësi që po mbahet sot në veri të Irakut.
“Askush të mos presë nga ne se do të qëndrojmë symbyllur ndaj krijimit të një zone të re krizash dhe konfliktesh menjëherë pranë kufirit tonë, në gjatësi prej 350 kilometrash. Qëndrimi ynë lidhur me këtë është i qartë. Referendumin që po mbahet edhe krahas kësaj dhe në kundërshtim me ligjin në Irak, ne e konsiderojmë të pavlefshëm dhe jolegjitim, pa marrë parasysh rezultatet“, tha Erdogan në një samit të ombudsmanëve në Stamboll, i cituar nga “AA”.
Erdogan tha se Turqia po i merrte të gjithë hapat si ekonomikë, tregtarë, edhe të sigurisë, përcjell tvklan.al.
Baghdadi zyrtar ka kërcënuar të ndërhyjë ushtarakisht nëse votimi çon vendin në dhunë. Edhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu ka kërcënuar se Turqia do të ndërhyjë me ushtri nëse dhunohen të drejtat e minoritetit turk në zonën autonome të Kurdistanit.