Kë e pati afër e kush i iku Hashim Thaçit që nga viti ‘99

  27 Nov 2017

Presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi, është një ndër figurat kryesore politike në vend. Shpeshherë i përfolur për të mirë e në disa raste për të keq, Hashim Thaçi arriti që të mbajë pozitat më të rëndësishme, duke u nisur nga udhëheqës politik i UÇK-së, kryetar i PDK-së, kryeministër, ministër i Jashtëm e deri te pozita e presidentit.

“Zëri.info” ju sjell ekskluzivisht disa fotografi të karrierës së Hashim Thaçit e të cilat opinioni nuk i ka parë shpeshherë.

Reportazhi fillon në vitin 1999 dhe përfundon me fotografinë e fundit e që është pranimi i detyrës si president. Fotografitë janë realizuar ndër vite nga fotografja Laura Hasani.

Kjo është një ndër fotografitë e para të pasluftës në të cilën shihet Hashim Thaçi derisa merr pjesë në një prej tubimeve më masive me pjesëtarët e UÇK-së. Në krah të tij shihet Azem Syla, Sylejman Selimi, Agim Çeku dhe tani kundërshtari jashtëzakonisht i madh i Hashim Thaçit, Rexhep Selimi. Fotografia është e vitit 1999.

 


Në këtë fotografi shihet Hashim Thaçi teksa kishte filluar të merrte famën e vërtetë. Hashim Thaçi ishte ulur në këtë kompjuter derisa medie të ndryshme vendore e ndërkombëtare e ndoqën një prej konferencave të tij. Veshja dhe stili i flokëve të bëjnë të dyshosh se është ai.

Flokët e pathinjura dhe pulovri mbi këmishë e bëjnë të duket krejtësisht ndryshe asokohe liderin e PDK-së. Kjo fotografi është realizuar në vitin 2000.


E kishte kundërshtarin më të madh politik gjatë viteve të pasluftës, por proceset politike e detyruan Hashim Thaçin që ta takonte presidentin Ibrahim Rugova disa herë. Thaçi që në kohën e luftës kërkonte ndëshkimin e presidentit Rugova, më vonë u detyrua që në delegacione të ndryshme të kishte Rugovën në krah. Ndonëse disa prej takimeve besohet se ndodhën pikërisht për shkak të presionit të komunitetit ndërkombëtar, Thaçi dhe Rugova nuk është se e rritën simpatinë për njërit-tjetrin ndonjëherë. Megjithatë Thaçi tani përkulet vazhdimisht pranë varrit të presidentit të ndjerë. Kjo fotografi është realizuar më 6 dhjetor të vitit 2001.


Bashkëshortja Lumja dukej shumë krenare kur më 17 nëntor të vitit 2001 e shikonte në sy burrin e saj, i cili pretendonte të bëhej kryeministër i vendit. Por entuziazmi nuk iu kthye Lumes në gëzim pasi PDK-ja i humbi bindshëm zgjedhjet e përgjithshme nga dikur partia më e madhe, LDK.

Nexhat Demaku duket shumë i ri në këtë fotografi krah lideri të PDK-së, Hashim Thaçi. Jo vetëm Demaku por edhe Xhavit Haliti këtu ka disa vite më pak. Çka bie në sy në këtë fotografi është ndryshimi gradual i veshjes së Hashim Thaçit, i cili po përjetonte ngritje të madhe në karrierë.

Më 28 nëntor të vitit 2004, Hashim Thaçi kishte në krah Rifat Jasharin për të cilin ndër vite kishte deklaruar se ka respekt. Por për dallim prej vitit 2004, Thaçi tani e ka të vështirë të realizojë sërish fotografi të tilla, pasi raportet mes Thaçit e Jasharëve duket se kanë marrë fund. Madje familja Jashari nuk mori pjesë as në betimin e tij për president.

Në një moment të caktuar politik, vendit i kishte ardhur radha që të qeverisej nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. E kjo gjë ndodhte me ndihmën e LDK-së. Haradinaj që asnjëherë nuk pati raporte aq të afërta me Hashim Thaçin e priti këtë të fundit në zyrën e tij, para se Haradinaj të linte pozitën e kryeministrit dhe të shkonte në Hagë. Në këtë fotografi, Thaçi nuk duket aq i lumtur për Haradinajn ashtu siç vazhdon të jetë tani. Haradinaj u përpoq me çdo kusht ta pengojë zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Kjo fotografi është realizuar më 24 janar 2005.


Veton Surroi e quajti “gjarpër” Hashim Thaçin në librin e tij “Këmbët e gjarprit” pasi e kishte njohur nga afër gjatë kohës së negociatave në Rambuje dhe atyre që u zhvilluan në Vjenë. Por Hashim Thaçi nuk është se pati ndonjëherë miqësi të vërtetë me Surroin pasi disa herë tha fjalë të ndryshme për të. Por Thaçit ia imponuan proceset politike dhe presioni ndërkombëtar disa herë afrimin artificial me Surroin, i cili shpeshherë e kishte kritikuar PDK-në. Në këtë fotografi mund të vërehet imponimi që kishte ndodhur atëherë. Foto: 30 qershor 2005.

Fatmir Limaj ishte njeriu më i besueshëm i Hashim Thaçit. Limaj mbante pozitën e të dytit të partisë, në PDK. Por besimi dhe respekti për njëri-tjetrin mbaroi kur kundër Fatmir Limajt u ngritën akuza për korrupsion. Limaj që edhe sot vazhdon të përballet me drejtësinë, një pjesë të fajit për ndjekjen e tij penale, ia ka lënë Hashim Thaçit dhe ish-partisë së tij PDK-së. Limaj dhe Thaçi kanë ashpërsuar gjuhën kundrejt njëri-tjetrit posaçërisht tani në kohën e krizës politike. Foto: 29 tetor 2007.


Hashim Thaçi dukej jashtëzakonisht i lumtur në këtë fotografi në shoqërinë e dikur mikut të tij të ngushtë, Jakup Krasniqi. Ky i fundit kishte nisur ta ndiente veten të parespektuar në PDK dhe së bashku me Fatmir Limajn nisën rrugëtimin e tyre politik të ndarë nga PDK-ja dhe me subjektin e ri që kryesisht afër vetes mblodhën të pakënaqurit e PDK-së. Me ikjen e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, Thaçi mbeti me dy shokë me pak. Foto: 29 tetor 2007.

Para pak ditësh Hashim Thaçi deklaroi se nuk e pinte rakinë. Me gjasë presidenti i ri kishte harruar se ishte xhiruar nga kamerat televizive para disa vitesh derisa kishte pirë raki gjatë vizitës që i kishte bërë një familjeje të nacionalitet serb. Foto: 5 shkurt 2008.


Hashim Thaçi kishte thënë se ishte marrë me sport. Madje dëshirën për aktivitete sportive e kishte treguar disa herë. Kjo fotografi është bërë vetëm pak minuta para se Hashim Thaçi të niste një aktivitet sportiv me 21 shtator 2004.

Siç shihet në këtë fotografi, në vitin 2008 pamja e Hashim Thaçit kishte ndryshuar tërësisht. Jo vetëm pamja por ndryshe ishte edhe veshja që tashmë Hashim Thaçin e kishte shndërruar në person më elegant. Kjo fotografi tregon momentin kur kishte ardhur koha e shumëpritur që Hashim Thaçi ta drejtonte Qeverinë.

Hashim Thaçi pati punë edhe me ish-kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu, të cilët së bashku patën hyrë në Qeveri. Në kohën sa Thaçi udhëhiqte Qeverinë, Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar Sejdiun nga posti i presidentit dhe si pasojë në vend të tij, me ndihmën e ambasadorit Dell kishte ardhur në pushtet një person pak i njohur e që ishte Atifete Jahjaga, pasi paraprakisht Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar nga posti i presidentit Begjet Pacolli e AKR-së. Kohë më pas, Sejdiu kishte deklaruar se rrëzimi i tij nga posti i presidentit kishte konotacion politik e për këtë arsye, Sejdiu e kishte bërë përgjegjës indirekt Hashim Thaçin e PDK-së. Foto: 14 mars 2007.

Më 7 prill 2016, Hashim Thaçi e pranoi zyrtarisht postin e presidentit të vendit. Dorëzimi i detyrës u bë nga presidentja Atifete Jahjaga e cila arriti që ta mbante deri në fund mandatin e saj. Thaçi në këtë fotografi duket i buzëqeshur pasi nëse i shkon mbarë në këtë kolltuk do të ulet për pesë vjet. Foto: 7 prill 2016.

Si një lider që konsiderohet i suksesshëm nga mbështetësit e tij, Hashim Thaçi në disa raste është detyruar që t’i pranonte disa përqafime nga adhuruesit, të cilët nuk përtuan që të ngjiten në skenë vetëm sa për ta përqafuar atë.