KATËR ZOTIMET E SHPEND AHMETIT PËR SHËNDETËSINË NË PRISHTINË


KATËR ZOTIMET E SHPEND AHMETIT PËR SHËNDETËSINË NË PRISHTINË
Katër zotimet e Shpend Ahmetit për shëndetësinë në Prishtinë
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arben Vitia, prezantuan prioritetet dhe zotimet tona në fushën e shëndetësisë për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.

“Prishtina si kryeqytet shërben jo vetëm qytetarët e regjistruar në Prishtinë, por edhe një administratë të tërë publike, vizitorë e punëtorë të shumtë, biznese e studentë. Shërbimet e shëndetësisë primare janë shumë të rëndësishme sepse këto shërbime janë vija e parë e frontit të betejës me sëmundjet e ndryshme”, thuhet në njoftimin e komunës.

Po ashtu, kryetari Ahmeti ka shpalosur katër zotimet për shëndetësinë në mandatin e ardhshëm:

Themelimi dhe funksionalizimi i Spitalit të qytetit – Prishtina si kryeqytet ka nevojë edhe për shëndetësi sekondare. Është i vetmi regjion nga regjionet e mëdha që nuk ka spital regjional. Prandaj në diskutimet për Ligjin për Prishtinën Spitali ka qenë një prej pikave kryesore. Kjo do t’i ndihmonte qytetarët e Prishtinës që mos të kërkojnë ndihmë në vendet tjera por edhe do ta kursente QKUK nga shërbimet që realisht duhet të jenë shërbime të një spitali të qytetit. Gjatë vitit 2018 do të punohet në përgatitjen infrastrukturore, profesionale dhe punë të tjera për të filluar punën e spitalit në vitin 2019. Tashmë përgatitjet fillestare kanë filluar.

Ndërtimi dhe funksionalizimi i qendrës për Autizëm dhe Sindromën Down – Qendra për Autizëm dhe Sindromën Down do të jetë qendra e vetme e këtij lloji në Kosovë. Një nismë e përbashkët e shoqatave dhe Komunës do të ofrojë shërbime shëndetësore dhe këshillimore për familjet e prekura nga Autizmi dhe Sindroma Down. Lokacioni është caktuar, toka është ndarë, ndërsa deri në fund të vitit 2017 do të përfundoj edhe konkursi për ndërtesën. Qendra do të ndërtohet gjatë vitit 2018 dhe pritet të fillojë punën në fillim të vitit 2019.

 

Ndërtimi dhe funksionalizimi i Qendrës për Mjekësi Familjare Veternik – Me ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Veternik, që tashmë është një lagje me popullsi të shtuar, do të përfundojë rrjeti i Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Çdo lagje do të jetë e mbuluar dhe si edhe çdo qendër tjetër edhe kjo Lagje do ta ketë standardin më të lartë të shërbimeve.

Përfundimi i zonimit të qytetit për shëndetësinë primare – Me kompletimin e rrjetit të QMF-ve, Prishtina ka përfunduar edhe punët në zonimin e qytetit, pra përcaktimin e QMF-së për secilin qytetar të kryeqytetit. Qe një kohë kemi pritur implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor nga niveli qendror dhe Prishtina edhe një prej qyteteve pilot në implementim. Në vitin 2018, kjo do të përfundojë me ç’ rast do ta përmirësojmë edhe më tutje efikasitetin e qendrave tona, duke ditur saktësisht shërbimet dhe numrin e pacientëve për çdo qendër.