KANDIDATËT E PDK-SË AKUZOJNË NJËRI-TJETRIN PËR VJEDHJE TË VOTAVE

  27 Oct 2017

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parshtresa (PZAP) ka pranuar një varg ankesash, kryesisht nga kandidatët për asamblist, lidhur me procesin zgjedhor të mbajtur më 22 tetor.

PZAP ka refuzuar ankesën e Mejreme Ismailit (PDK) në Vushtrri, e cila pretendon se në bazë të të dhënave nga menxaheri i qendrës së votimit, në ditën e zgjedhjeve ka marrë gjithsej 12 vota, mirëpo në bazë të deklaratave bindëse të disa votuesve të PDK-së thekson se ka marrë së paku 25 vota, por që gjatë numërimit votat e saj i janë shpërndarë kandidatëve të therë ose ka mundur të ndodh ndonjë gabim gjatë numërimit të votave.

PZAP ka refuzuar një ankesë nga Resul Lika (PDK) në Kaçanik, i cili pretendon se në qendrat e votimit në fshatin Glloboçicë, Bob dhe Begovc i janë manipuluar dhe i janë bartur votat e tij kandidatit tjetër.

Po ashtu PZAP ka refuzuar edhe ankesat e kandidates Sanije Dubova (PDK) në Obiliq, e cila pretendon se i janë keqpërdorur votat në Milloshevë, në Obiliq, në Leskoshiq, në Mazgit të Epërm, në Dardhishtë dhe në Breznicë.

Ndërsa Diarta Vishesella (AAK) në Shtime ka paraqitur ankesë kundër Fidaim Shabanit, kryesues i vendvotimit, për shkak të gabimeve teknike gjatë numërimit të votave.

Në të gjitha rastet PZAP ka konstatuar se ankesat janë të parakohshme, pasi duhet pritur shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.