fbpx

Kamishi në Gjykatë: Latif Gashi e rrëzoi Rexhep Selimin, Selimi: Ai që më rrëzon mua përtokë nuk jeton

  18 Dec 2017

Në seancën e sotme gjyqësore, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dhënë versione të ndryshme rreth rrahjes ndërmjet tyre më 28 qershor 2012.

Në seancën e sotme gjyqësore, ku përballë ishin të akuzuarit Rexhep Selimi, Visar Ymeri dhe Besart Bujupi në njërën anë, dhe Bekim Haxhiu si i dëmtuar në anën tjetër, janë shpalosur detaje nga rrahja mes deputetëve që ndodhi para katër viteve në Kuvendin e Kosovës.

Pasi që prokurorja e lexoi aktakuzën, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë. Të gjithë thanë se janë të pafajshëm.

Për dallim prej shumicës së gjykimeve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në këtë rast të akuzuarit u deklaruan ulur lidhur me fajësinë e tyre.

Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën “Kamishi”, në dëshminë e tij përshkroi se si erdhi deri tek incidenti.

“Kamishi” tregoi se fillimisht gjatë pauzës së seancës së Kuvendit kishte ndodhur një debat në mes të Latif Gashit dhe Rexhep Selimit.

“Në dalje të Kuvendit ishte një diskutim në mes të Latif Gashit dhe Rexhep Selimit, lidhur me policinë sekrete të Rexhep Selimit, sigurisht me ton të ngritur”, tha Kamishi.

Kamishi përshkroi më pas rrjedhën e grindjes.

“I akuzuari Rexhep e ka shtyrë me duar në pjesën e gjoksit Latif Gashin, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e goditur dy herë me grusht, ndërsa Rexhep Selimi është rrëzuar”, tha deputeti Haxhiu.

Kjo deklaratë nxiti reagimin e Rexhep Selimit, i cili në shenjë proteste tha: “Ai i cili më rrëzon përtokë mua nuk jeton”.

Bekim Haxhiu më pas tregoi se pas këtij incidenti ai ishte kthyer përsëri në Kuvend, ku tha se ishte sulmuar nga Rexhep Selimi.

“Ai më ka goditur rrëshqitazi në mjekër, ndërsa unë ia kam kthyer goditjen në pjesën e fytyrës, Pastaj më kanë sulmuar nga prapa Besart Bujupi”, tregoi “Kamishi”.

Më pas, Bekim Haxhiu tregoi se ishte sulmuar edhe nga deputetët Visar Ymeri dhe Florin Krasniqi. Për këtë të fundit tha se duke u kacafytur janë rrëzuar dhe se e kishte futur përfundi.

Po ashtu, ai tha se më pas kishte ndërhyrë policia, ndërsa sulmin e cilësoi si të pabesë.

“Unë nuk jam as Chuk Norrisi, as Supermeni, as Batmani. Unë jam munduar ta mbroj veten “, tha Bekim Haxhiu.

Në anën tjetër, në deklarimin e tij para trupit gjykues, i akuzuari Rexhep Selimi mohoi kategorikisht thëniet e Haxhiut.

“Nuk ka pasur asgjë më tepër sesa një konflikt verbal në mes meje dhe Latif Gashit, sikurse që ka qenë konflikt verbal në mes meje dhe Bekim Haxhiut”, tha Selimi.

Rexhep Selimi këtë gjykim e quajti të motivuar politikisht.

Gjykimin të padrejtë e cilësoi edhe i akuzuari tjetër, Visar Ymeri, i cili tha se në këtë rast nuk janë të barabartë me palën e akuzuar dhe u ankua se nuk i janë dhënë provat me kohë.

I akuzuari tjetër, Besart Bujupi, u deklarua se do të mbrohet në heshtje.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 mars dhe do të jepet fjala përfundimtare e palëve.