Ja si planifikonte arratisjen nga burgu i sigurise se larte Enver Sekiraqa!
Prokurori i EULEX’it ka treguar në Apel se një i burgosur kishte dëgjuar një bisedë të Enver Sekiraqës për arratisje.
Biseda prokuroi thotë të jetë dëgjuar dhe denoncuar natën kur i dënuari me mbi 37 vite burgim për nxitje të vrasjes u kthye në paraburgim, pasi gjykata e kishte liruar në arrest shtëpiak, që i zgjati më shumë se 24 orë.
Mbrojtja e Sekiraqës gjatë seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sekiraqës ka zbuluar se biseda u denoncua nga Besnik Hasani, një ish polic i dënuar për vrasje
Gjyqtarja e EULEX’it nuk ka mundur të japë vendim për masën e sigurisë ndaj Enver Sekirqës, i cili të premten mbrëma u kthye në paraburgim. Në seancën dëgjimore të së martës, në Gjykatë të Apelit, trupit gjykues iu ofruan dëshmi të reja për rastin në fjalë, për të cilat gjyqtarja Elka Ermenkova ka thënë se i duhet pak më shumë kohë për të nxjerrë një vendim.
Prokurori i EULEX’it, Claudio Pala, para trupit gjykues ka treguar se ka mjaftueshëm dëshmi se Enver Sekiraqa ka shkelur ndalesat, të cilat ishin caktuar nga Gjykata e Apelit në vendimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dënuarit.
Për më tepër, Prokurori i tha gjykatës se Sekiraqa përben rrezik të ikjes nga drejtësia nëse lihet jashtë burgut të Dyzit.
Ai tha se në shtator prokuroria e Shtetit ka pranuar tri letra anonime në të cilat pretendohet se Enver Sekiraqa, edhe pse i burgosur, kontrollon grupin e tij kriminal.
Por jo vetëm kaq, Prokurori Pala tha se edhe natën kur Sekiraqa u kthye në burg, pas më shumë se 24 orësh qëndrimi në arrest-shtëpiak, është dëgjuar të bisedojë për një plan të arratisjes. Këtë bisedë, sipas prokurorit, e ka dëgjuar një i burgosur tjetër që qëndron në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.
Avokatja mbrojtëse e Enver Sekiraqes, Kosovare Kelmendi, në fjalën e saj para gjykatës së Apelit, tha se nuk mund t’i besohet personit që pohon se ka dëgjuar në burg bisedën e Sekiraqes me një person tjetër, pasi sipas saj Sekiraqa ka qelinë në katin e parë të atij burgu, ndërsa i burgosuri tjetër qëndron në katin e tretë në Dyz.
Ajo edhe ka zbuluar se personi që ka pohuar për bisedën është ish-polici i dënuar për vrasje të shumëfishtë Besnik Hasani, e që i njëjti është dyshuar për implikim në një rast gjyqësor që lidhet me Sekiraqen.
Kelmendi tha se Hasani denoncimin e ka bërë direkt te një toger tjetër i policisë, që po ashtu tha se ka qenë dëshmitar në procesin gjyqësor ku Enver Sekiraqa u dënua më 37 vjet burgim.
Mbrojtja e të dënuarit hodhi poshtë mundësinë për arratisje të Enver Sekirqës, duke treguar edhe se klienti i saj nuk ka dokument valid që nga viti 2012.
Ajo prezantoi pasaportën e të dënuarit e cila tha së është e skaduar, e për këtë reagoi prokuroi i cili tha se në vendimin për lirimin në arrest-shtëpiak përveç ndalesave që janë shkelur nga i dënuari, e për të cilat u kthye në paraburgim, është kërkuar edhe konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit.
Avokatja sqaroi edhe shkeljen e ndalesës së dënuarit për takime me njerëz tjerë, jashtë atyre të cilët banon. Duke pranuar se një gjë e tillë ndodhi, Kosovare Kelmendi tha se ajo nuk ishte në dijeni për këto ndalesa, pasi sipas saj për lirimin nga paraburgimi të Enver Sekiraqës u njoftua përmes telefonit të enjten mbrëma nga një punonjës i EULEX’it, ndërsa vendimin e morri një ditë pas. Sipas saj, veçse ishte vonë, shkelja kishte ndodhur ndaj edhe kërkoi falje në emër të saj dhe klientit të saj.
Edhe vetë Sekiraqa pranoi se ka shkelur ndalesat, por tha se nuk ka qenë i njoftuar për to. Ai pretendoi se nuk ka lexuar vendimin, por vetëm ka shkuar në shtëpi, dhe në kësi raste ka pritur nga avokatja t’i interpretoheshin ndalesat, pasi thotë se nuk i njeh këto procedura.
Në seancë u prezantuan edhe fotografitë që dëshmojnë shkeljen e ndalesës së gjykatës që bëri Sekiraqa sa qëndroi për më shumë se 24 orë në paraburgim.
Mbrojtja e të dënuarit për nxitje të vrasjes së polciit Triumf Riza tha se shkelja ka ndodhur edhe për shkak të mentalitetit ballkanik, në veçanti të atij kosovar, kur të afërmit vinë në shtëpi për vizite pa i ftuar në kësi raste.
Ajo pranoi se në natën e lirimit të Sekiraqës kanë qenë mbi 100 njerëz që e kanë pritur në shtëpi, të gjithë familjarë, të afërm, fqinjë e miq të të dënuarit. Në mesin e tyre tha se ka qenë edhe personat që kanë dalë në fotografi, e që njëri prej tyre tha të jetë avokat i Sekiraqës në një tjetër proces gjyqësor. Gjatë gjithë kohës duke përsëritur se nuk e kanë ditur se ka ndalesë për tu takuar më persona tjerë, dhe sipas saj në momentin që u kuptua për ndalesën familja e Sekiraqës ka mbyllur dyert për mysafiret.
Krejt në fund të seancës, gjyqtarja Elka Ermenkova, tha se edhe pse kishte ndërmend që sot të caktonte masën ndaj Sekiraqës, asaj i duhet ende kohë për të nxjerrë një vendim, pasi sipas saj në seancë u prezantuan argumente të reja.
Enver Sekiraqa, përkundër se është i dënuar me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes, të enjten e kaluar u lirua në arrest-shtëpiak nga gjykata e Apelit, ndërkohë se kjo gjykatë ende se ka shpallur aktgjykimin e saj pas ankimimit të vendimit dënues të Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj Sekiraqës.
Ai u kthye në paraburgim, të nesërmen, pasi u publikuan në media fotografi me persona tjerë, jashtë anëtarëve të familjes me të cilët banon, gjë që e kishte të ndaluar me vendim.
Lirimi i Sekiraqës në arrest-shtëpiak nga dy gjyqtarë të EULEX’it dhe një vendor, nxiti reagimin e njohësve të drejtësisë, të cilët e kërkuan skandaloz dhe thanë se Gjykata e Apelit ka shkelur nenin 367 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Ky nen saktëson se nëse gjykata ekzekuton dënim me mbi 5 vite burgim ndaj një të pandehuri, atëherë personi i dënuar me automatizëm dërgohet në paraburgim, edhe në rastet kur ndaj tij më parë nuk është ngarkuar kjo masë.