Ja si gënjeu sot në Kuvend Kadri Veseli, ky është anëtari i SHIK-ut që u dënua për vrasje
Sot, në seancën e Kuvendit të Kosovës për rishikimin e buxhetit, u zhvillua një debat i ashpër mes deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Kuvendit, ish kreut të SHIK-ut, Kadri Veseli.
“Kadri Veseli është në panik dhe e ki një problem, e para do të mbahesh mend për dy çështje, seni i parë që do të mbahesh mend është se ke qenë shef i SHIK-ut dhe si shef i SHIK-ut si organizatë kriminale, të pëlqeu ose jo njerëzit e tu janë dënuar me nga 25 vjet për vrasje. E dyta, ti do të mbahesh mend që e ke sjellë PDK-në prej një partie të madhe në një grusht deputetësh, krejt këta janë duke qeshur me ty, s’po guxojnë me të thënë, për neve është shumë e mirë, këtu të asistojmë. Problemin me ty e kam Kadri kur ti din me falimentu Kosovën, qaty s’mund të pajtohem me ty”, deklaroi sot deputeti i LDK-së, Lumiz Abdixhiku.
Por, në kundërpërgjigjen e tij, Veseli i tha Abdixhikut ta gjejë se kush nga SHIK-u është dënuar me burg dhe nëse po ai do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
““Dëgjo, së pari nuk e di në këto vite është dënuar një person i SHIK-ut, nëse e gjenë unë jap dorëheqje prej kryetarit të Kuvendit, je rrenc, e dyta dëgjo çka po të them, ti ke filluar me aktrim karrierën mirë, tregojmë me 19 nëntor pastaj ngadalë ecim, por puna forma si e ke filluar ti mund të sjellë moment të caktuar, por afatgjatë kjo nuk është politika”, deklaroi ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, shkruan “Bota sot”.
Por si duket kreu i kuvendit, ka harruar se një pjesëtar i SHIK-ut, tashmë është dënuar për vrasje.
Në korrik të vitit 2013, Nazim Bllaca, i deklaruar agjent i SHIK-ut, u dënua me 4 vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Mbi të rëndonin disa akuza, përfshi edhe ajo e vrasjes. Mirëpo, me kërkesë të prokurorit, të cilën e ka marrë parasysh trupi gjykues, Bllaca është dënuar me dënimin minimal, për shkak se kishte statusin e dëshmitarit bashkëpunues edhe për dy raste tjera gjyqësore, thuhej në atë kohë në njoftimin e EULEX-it.