fbpx

Ja sa i kushton një drekë kabinetit të Kadri Veselit

  08 Dec 2017

Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës janë rritur në nëntë mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me atë të vitit të kaluar.

Vetëm në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë shpenzuar 170 euro për çdo ditë vetëm dreka. Kështu është bërë e ditur gjatë shqyrtimit të raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntë mujorin e vitit 2017 në komisionin parlamentar për buxhet dhe financa.Po ashtu, si shpenzime enorme për këtë periudhë janë konsideruar edhe shpenzimet për bileta të udhëtimit dhe për karburante.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka kërkuar ulje të shpenzimeve për mëditje dhe për dreka.Ai ka shtuar se janë disa shpenzime që kishin mundur me u kursyer më shumë te çështja e drekave, mëditjeve dhe udhëtimeve jashtë vendit, sidomos jo të deputetëve sa të stafit administrativ, sepse sipas Abdixhikut, 90 përqind e këtyre udhëtimeve janë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Kështu ai ka kërkuar këto takime të reduktohen dhe të mbahen në Kosovë.“Kabineti i han 170 euro drekë në ditë dhe kjo është një rrogë mesatare e një kosovari që kabineti i konsumon për drekë. Unë iu kisha lutë që me pas një program të kursimit, por nuk është faji te ju, sepse këtë tema tash e kemi në seancë dhe atje po kërkojmë një program të kursimit prej Qeverisë.

Sepse nëse fillojmë me kursyer prej drekave dhe udhëtimeve zyrtare nëpër të gjitha institucionet, besoj se kishim bërë fonde të mjaftueshme për çështjen e trajtimeve të tjera”, ka thënë Abdixhiku.Edhe Enver Hoti, anëtar nga Nisma për Kosovën, ka thënë se është shqetësuese mos realizimi i investimeve kapitale nga ana e kuvendit, si dhe rritje e shpenzimeve për bileta të udhëtimit, edhe pse sipas tij, kuvendi ka qenë jo aktiv në këtë periudhë.“Është interesant në këto biletat e udhëtimit ka një ngritje në këtë nëntëmujorë, kur dihet se kuvendi ka jo shumë aktiv për vitin 2017.

Po ashtu, edhe te karburantet për vetura ka një ngritje në këtë periudhë kohore, në krahasim me vitin 2016. Ndoshta fushata, por si kuvend zyrtarisht nuk ka punuar në këtë periudhë. Është shumë shqetësuese edhe mos realizmi i investimeve kapitale”, ka thënë Hoti.Këtyre shqetësimeve për rritje të shpenzimeve i është përgjigjur sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cila ka thënë se çdo shpenzim është i faturuar dhe i mbuluar me vendim, mirëpo duke i rrudhur krahët ka thënë se nuk ka autoritet t’i parandalojë shpenzimet.“Çdo shpenzim që është i faturuar, është i mbuluar me vendim. Kështu që ne si administratë jemi korrekt. (S’mundemi me i ndalë).

Jo”, është përgjigjur sekretari Krasniqi.Pas insistimit të deputetëve, ai ka arsyetuar shpenzimet për bileta dhe për karburante, duke thënë se për 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, për të gjithë të ftuarit kanë paguar bileta, duke përfshirë edhe mysafirët nga Japonia dhe nga vendet e caktuara të botës.“Për të gjithë ata persona me vendim të kryesisë janë paguar biletat për ta dhe kjo është një rritje e shumës që ka pasur të bëjë ekskluzivisht me mysafirët e ftuar për 17 shkurt në shpenzimet e kuvendit.

Sa i përket derivateve për vetura, kemi raportin për të gjitha veturat sa kanë shpenzuar. Ne i kemi identifikuar kush sa ka shpenzuar, duke filluar prej kryetarit të kuvendit, anëtarëve të kryesisë, këshilltarëve të kryetarit dhe të administratës.

Pra, çdo udhëtim është i mbuluar me një dëshmi përcjellëse”, ka thënë Krasniqi.Komisioni me shumicë votash ka miratuar raportin e shpenzimeve për Kuvendin.Po ashtu, Komisioni për Buxhet dhe Financa sot ka shqyrtuar projektligjin për plotësim ndryshim të projektligjit për AKP-në, të cilin e ka prezantuar zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, i cili ka thënë se qëllimi i ndryshimit është mundësia e qasjes së Qeverisë në fondin e AKP-së, në mënyrë që mjetet të barten në buxhetin e Kosovës. Ai ka thënë se bëhet fjalë për 370 milionë euro.

Kryetari i këtij Komisioni Lumir Abdixhiku ka thënë se paratë e privatizimit duhet të jenë të destinuara për investime kapitale dhe jo për zhvillim ekonomik.Komisioni po ashtu ka shqyrtuar po ashtu edhe raportin financiar të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike Postate, për të cilin raport ka raportuar kryetari i Bordit të saj Kreshnik Gashi.

Gashi iu është përgjigjur deputetëve për kodin telefonik i cili, tha se do të fillojë të përdoret i vetmi kodi 383 nga qershori i vitit 2018 në gjithë territorin e Kosovë, pa kodin 377 dhe 381.