Ja njeriu qe po mundohet ti fsheh krimet e Serbise ne Kosove!

  28 Oct 2017

Ivan Ivanji, njëri nga moderatorët e debatit në Beograd me shkrimtaren gjermane Herta Müller, përpiqet të mbulojë me heshtje dhunën e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Për një hebre që ka mbijetuar kampet e shfarosjes kjo sjellje është cinike.

Debatin me shkrimtaren gjermane Herta Müller në Teatrin e Dramës Jugosllave në Beograd e moderuan Michael Martens, korrespondent i gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) për Europën Juglindore, dhe Ivan Ivanji, shkrimtar dhe përkthyes shumëvjeçar i Josip Broz Titos. Në shkrimin e tij të botuar të shtunën në FAZ Martens nuk ia përmend fare emrin moderatorit të dytë – dhe këtë injorim gazetari duket se e ka bërë për shkak të sjelljes skandaloze të Ivan Ivanjit gjatë dhe pas debatit. Në lidhje me këtë pak më poshtë në këtë tekst.

Siç është njoftuar, Herta Müller para publikut të Beogradit tha se nuk i bie fare pishman që më 1999 e ka përkrahur çlirimin e Kosovës nga soldateska serbe dhe akuzoi serbët se i kanë shkaktuar vuajtje Bosnjës dhe Kosovës. Ajo përmendi nënat e Srebrenicës që edhe sot çdokujt me shpirt human ia këpusin shpirtin dhe akuzoi Kishën Ortodokse Serbe për rolin negativ në luftërat jugosllave. (Detajet rreth debatit dhe polemikave që ngjalli në Serbi paraqitja e Herta Müller.

Mes moderatorëve të debatit me nobelisten gjermane të letërsisë duket se nuk ekzistonte pajtim mbi temat që duhet hapur. Ivan Ivanji ashiqare ishte i interesuar që me Herta Müllerin të mos flitet për deklaratat e saj kritike ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit mbi luftën në Jugosllavi në vitet ’90, ndërsa Michael Martens me gjasë ishte i bindur (me të drejtë) se debati nuk ka kuptim të reduktohej në muhabet vetëm për letërsinë. Pas fjalëve kritike të Herta Müller mbi rolin e Serbisë në luftërat e fundit ballkanike të shekullit të ’20, reagoi Ivanji me konstatimin aventurier se Millosheviqin e hoqën nga pushteti qytetarët e Serbisë, jo NATO. Nëse është kështu përse atëherë diktatorin serb nuk e larguan nga posti qytetarët e Serbisë mes viteve 1987 dhe 2000, por kjo ndodhi vetëm 15 muaj pas përfundimit të luftës ajrore të NATO-s kundër Serbisë? Përse nuk e shporrën nga pushteti më 1997, kur Millosheviqi i vodhi zgjedhjet lokale dhe mijëra serbë protestuan në Beograd?

Pas debatit me Müller dhe fyerjeve të ulëta kundër saj nga mediat serbe, Ivanji vrapoi te agjencia e lajmeve «Tanjug» për të deklaruar se «unë jam një zotëri konservator, mirë i edukuar, i cili deshi të sillet si xhentëlmen ndaj një dame, por <shpërtheva>, sepse s’munda të dëgjoja më marrëzitë e tepërta». Domethënë marrëzi qenka të përmendësh krimet serbe në Ballkanin e viteve ’90-të? Sjellja skandaloze e Ivan Ivanjit, i cili me gjasë do të dëshironte të mos flitej fare për krimet e regjimit serb kundër shqiptarëve të Kosovës, është e pashembullt.

Për një hebre që ka mbijetuar kampet e shfarosjes – Auschwitzin dhe Buchenwaldin – kjo sjellje është cinike. Ivan Ivanji u lind në Banat të Serbisë në një familje mjekësh hebraikë. Pas Luftës së Dytë Botërore studioi arkitekturën dhe gjermanistikën në Beograd, ishte mësues, drejtor teatri, përkthyes i Titos, atashe për kulturë në Ambasadën e Jugosllavisë në Bonn mes viteve 1974-1978 dhe nga viti 1981 deri më 1988 sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve të Jugosllavisë.

Në deklaratën dhënë «Tanjugut» Ivanji shtoi: «Kolegu gjerman Michael Martens është fajtor për gjithë këtë që ndodhi në mënyrë jointeligjente në Teatrin e Dramës Jugosllave. I thashë para fillimit të tribunës që të mos i shtrojë pyetje mbi bombardimet e NATO-s, por nuk ia vlejti. Herta Müller është viktimë klasike e mediave gjermane, të cilat kanë raportuar mbi shpërbërjen e Jugosllavisë». Një njeri që mendon kështu ose është tepër senil (Ivanji ka lindur më 1929) – ose ithtar i propagandës serbe të viteve ’90.

Inteligjenca nacionaliste serbe dhe mediat e çarshisë së Beogradit që nga fillimi viteve ’90 përhapin teorinë e komplotit se Jugosllavia është shkatërruar sipas një plani të shteteve perëndimore, të prira nga Gjermania dhe Amerika. Pala serbe, sipas kësaj logjike, ka qëndruar duarkryq dhe është sulmuar pa provokuar askënd. Ivanji tha se ambasadori gjerman në Beograd ishte përpjekur të ndalojë «këtë temë», pra bombardimet e NATO-s, por Martens «insistoi». Ivanji me sa duket ende jeton mentalisht në kohën e komunizmit kur funksionarët e sistemit apo diplomatët ua ndalonin gazetarëve pyetjet e caktuara.

Sjellja e Ivanjit është e neveritshme, sepse bëhet fjalë për një person që ka qenë viktimë e nazizmit dhe sidomos prej tij do të duhej pritur të ishte në anën e viktimave dhe jo në anën e atyre që duan të heshtin për të kaluarën e errët të Serbisë. Akuza që Herta Müller ia bëri Kishës Ortodokse Serbe nuk është aspak e bujshme. Publicisti i njohur serb Millorad Tomaniq në librin e tij «Srpska crkva u ratu i ratovi u njoj» (Kisha serbe në luftë dhe luftërat brenda saj) ka përshkruar me fakte e hollësi rolin luftënxitës të popëve dhe patriarkëve serbë në vitet ’90. Ata me fjalë dhe me bekimin e armëve të paramilitarëve serbë i kanë paraprirë masakrave. Me deklaratat e tij absurde Ivanji edhe në vitin 2017 veçohet si shërbëtor i nomenklaturave sunduese – me apo pa dashje.

Kur para disa vitesh Ivanji botoi në gjermanisht kujtimet e tij mbi kohën kur ka qenë përkthyes i Titos, në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» u botua një recension, i cili sot lexohet si profeci. Kritiku Uwe Stolzmann shkruante në vitin 2008 se Ivanji kishte lëshuar nga dora shansin e papërsëritshëm për të shpjeguar themeluesin karizmatik dhe despotik të Jugosllavisë dhe mysafirët e tij si Brandt, Wehner, Genscher, Kohl, Kreisky, Ulbricht, Honecker, Mielke. Kritiku e akuzonte Ivanjin se nuk ka kurrfarë sensi për situata dhe për inskenimet e burrështetasve. Autori i kujtimeve, sipas Stolzmann, nuk ka mbajtur kurrë ditar, nuk ka shikuar protokolle, nuk ka hulumtuar në arkiva. Kritikun e pengonte po ashtu mungesa e distancës ndaj ngjarjeve dhe narcizmi i Ivanjit, të cilin e përshkruan si «dëshmitar të ftohtë» dhe «përfitues të sistemit dhe rrotë në mekanizmin» e regjimit. Në libër nuk mund të gjendet pothuaj asgjë interesante, por vetëm anekdota të athëta, thashetheme dhe copëza kujtimesh. Në fund kritiku shprehet i zhgënjyer edhe me nivelin gjuhësor të autorit dhe mbi mungesën e çdo lloj strukture në ndërtimin e librit.

Fatmirësisht në Beograd ka zëra të tjerë krahas Ivan Ivanjit. Profesori i pensionuar i psikologjisë, Zharko Koraç, i cili po ashtu është me origjinë hebraike, në lidhje me sulmet kundër Herta Müller deklaroi për televizionin N1: «Në një vend ku është në veprim restaurimi i plotë i kuadrove të Millosheviqit, janë logjike këto reagime. U shfaqën për të sulmuar shumë egërsisht të gjithë ata që në të vërtetë janë të lidhur me Millosheviqin dhe politikën e tij. (…) Kjo grua tha atë që mendon një numër i madh i njerëzve të edukuar në Europë».

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.