Ja çka i ndodhi Ramush Haradinajt në kufi para se të mbërrij në Bruksel

  16 Nov 2017

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbërritur në Bruksel, në pasditen e së enjtes, ku do të takohet me udhëheqës të Bashkimit Evropian.

Shefi i ekzekutivit kosovar i ka kaluar pa ndonjë telash kufijtë, ndryshe nga siç paralajmërohej nga mediat ndërkombëtare.

Ditë më parë, Reuters shkroi se Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit, edhe pse mban postin e shefit të ekzekutivit, nëse Serbia nuk e tërheq fletarrestin kundër tij që e ka dërguar në Interpol.

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Avni Arifi, ka publikuar një fotografi nga Belgjika, në llogarinë e tij në Facebook, nëpërmjet së cilës ka konfirmuar arritjen e Haradinajt në Bruksel.

“Shteti i Kosovës do të jetë shtet i BE-së. Ky proces është i pandalshëm sado i vonuar”, ka shkruar Arifi në legjendën e fotografisë së publikuar në rrjetin social në pasditen e së enjtes.

Në mbrëmjen e së mërkurës, zëdhënësi i Qeverisë, Arbër Vllahiu, ka treguar agjendën e Kryeministrit të Kosovës, gjatë qëndrimit në Bruksel.

Ai ka thënë se në takimet e Haradinajt në Bruksel do të diskutohet kryesisht për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

I pyetur se a do të diskutohet edhe për çështjen e demarkacionit, gjatë takimeve që Haradinaj do të zhvillojë në Bruksel, Vllahiu ka thënë se ajo nuk është në agjendën e kryeministrit.

“Çështja e demarkacionit nuk është pjesë e agjendës, përveç faktit që çështja e demarkacionit mund të diskutohet brenda takimeve bilaterale që do të zhvillohen gjatë ditës së premte me kryeministrin dhe zyrtarët e lartë evropian të BE-së”, ka thënë Vllahiu në RTV21.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.