Ja çfarë thotë kësaj radhe Haradinaj për taksën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë.
Hardinaj ka thënë se Amerika është miku më i mirë që ka Kosova.
I pari i Qeverisë u pyet për marrëdhëniet me Amerikën pas presionit që ata po bëjnë për ta hequr taksën ndaj Serbisë.
Haradinaj duke refuzuar të flas për këtë temë, tha se NATO dhe Amerika janë miq të përjetshëm që iu gjinden Kosovës në ditët më të vështira dhe se kjo miqësi do të jetë e përhershme.
“Populli i Kosovës, NATO-s të prirë nga Amerika i është përjetë mirënjohës. Nuk ka mik më të mirë sesa ai që të gjendet në ditët e vështira. Për ne ditë më të vështira për jetën tonë nuk kemi pasur sesa në atë kohë. Miku më i mirë për ne, i përjetshëm, është NATO, janë vendet e NATO-s, si në këtë rast Mbretëria e Bashkuar, vendet tjera, NATO e prirë nga Amerika”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve që bëri sot te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë dhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë, në shënim të 24 Marsit, 20 vjetorit të ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministrat Rrustem Berisha, Pal Lekaj, Ekrem Mustafa dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, kryeministri Haradinaj tha se nesër bëhen 20 vjet nga fillimi i fushatës ajrore të NATO-s, e cila filloi përmbylljen e tragjedisë së popullit të Kosovës, duke shpëtuar shumë jetë dhe mundësoi rikthimin për jetë në liri të popullit të Kosovës, të gjithë atyre që kanë jetuar në Kosovë.
“Në shenjë nderimi për këtë angazhim, për ndihmën, por edhe për sakrificën dhe jetërat e atyre që shërbyen për paqe në Kosovë dhe ranë gjatë detyrës, e kam për nderë që në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës të nderoj sot te lapidari ku kujtohen të gjithë ata që kanë shërbyer në Kosovë, i ushtarëve të KFOR-it, NATO-s, por edhe këtu te lapidari i ushtarëve të Mbretërisë së Bashkuar që kanë rënë në krye të detyrës. Nderim i përjetshëm për të gjithë ata që ndihmuan lirinë dhe paqen tonë”, tha kryeministri Haradinaj.