Gjatë dy muajve prejse janë formuar institucionet qendrore kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli e kanë realizuar vetëm nga një vizitë jashtë shtetit. I pari e ka vizituar Shqipërinë, kurse i dyti Hungarinë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Ndonëse janë bërë gati dy muaj prejse janë konstituuar institucionet e Kosovës liderët shtetërorë nuk kanë zhvilluar shumë takime jashtë shtetit të Kosovës.
Përkundrazi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli prejse e kanë marrë detyrën pas zgjedhjeve të 11 qershorit kanë pasur vetëm nga një takim jashtë vendit.
Përderisa Haradinaj ishte në Shqipëri pak pas zgjedhjes së tij, Veseli para pak ditës realizoi një vizitë në Hungari, shkruan tutje “Zëri”.
E përderisa zyrtarë nga kabineti qeveritar thonë se kryeministri është përqendruar në temat e brendshme që janë lënë pas dore, nga Zyra për Informim e kryeparlamentarit thonë se pas vizitës së fundit Veseli ka edhe disa ftesa të tjera që ka pranuar, të cilat do të realizohen së shpejti.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se dy prej arsyeve pse ka qenë i pakët numri i vizitave të këtyre dy figurave përgjatë mandatit të fundit ka të bëjë me konsolidimin e institucioneve dhe zgjedhjet lokale.