ISIS bën thirrje në gjuhën shqipe për t’i përgjakur festat e fundvitit

“Ti ke kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me makinë për t’i shtypur turmat e tyre, ose për të blerë një thikë për t’i goditur ata, ose për të mbushur pushkën tënde me armatim”, ky është kërcënimi që agjencia e lajmeve e ISIS në Shqip me afro 400 ndjekës po shpërndanë të pasuesit e saj, duke kërkuar përgjakje të festave të fundvitit. “E nëse këto nuk pranohen nga shpirti yt, hyn në turmën e tyre dhe bërtit: “Allahu është më i Madhi”, thuhet në këtë kërcenim.

Edhe pse organizata terroriste, i ashtu-quajturi Shteti Islamik (ISIS) po humb territor të konsiderueshëm çdo ditë në Siri e Irak, operacionet e saja në Evropë nuk i ka lënë anash. Vitet e fundit shumë sulme të përgjakshme terroriste në vende të ndryshme të kontinentit të vjetër janë marrë përsipër nga kjo organizate.

Megjithatë ISIS ende nuk është ngopur me dhunë. Dhe, thirrja e fundit e ISIS për ti përgjakur festat e fundviti vjen në gjuhën shqipe.

“Ti ke kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me makinë për t’i shtypur turmat e tyre, ose ëpr të blerë një thikë për t’i goditur ata, ose për të mbushur pushkën tënde me armatim. E nëse këto nuk pranohen nga shpirti yt, hyn në turmën e tyre dhe bërtit: “Allahu është më i Madhi”.

 

Ky është mesazhi që ISIS po shpërndan në disa forume të xhihadit, por kryesisht në grupet e tyre të mbyllura në “Telegram”, në të cilat Express ka siguruar qasje.

Në këtë njoftim, ISIS në shqip 2018’ën e ka përshkruar si vit të përgjakshëm.

Së fundi ky mesazh është publikuar në grupin në “Telegram” që e kanë emëruar “Agjencia e Lajmeve Nashir”, e përshkruar si “Agjencia për botime zyrtare të Shtetit Islam”. Siç raporton Express, të shtunën e fundit, para se të mbyllej llogaria e vjetër e kësaj agjencie zyrtare të ISIS, kanali kishte afro 400 anëtarë- ndjekës, kurse llogaria që është hapur së fundi, pasi u mbyll e vjetra, për më pak se dy ditë ka arritur afro 150 ndjekës.

Në këtë faqe ISIS, që të gjitha materialet janë në gjuhën shqipe, së fundmi janë publikuar fotografi nga jeta e përditshme e ushtarëve të këtij grupi terrorist, si dhe një lajm për një sukses të ISIS në fushëbetejë.

“Elbu Kemal, rënia e 11 pjesëtarëve të ushtrisë siriane midis të vdekurve dhe të plagosurve pas shënjestrimit me një predhë të drejtuar në veriperëndim të qytetit”, është ky njoftimi i fundit i ISIS në shqip.

Kërcënimet e ISIS për festa që nuk lidhen me kulturën islame janë të zakonshme, por në të kaluarën organet e drejtësisë i kanë marrë seriozisht duke marrë masa, siç ishte rasti i Pashkëve të fundit, ku Policia ishte në gjendje gatishmërie shumë të lartë për të reaguar për ndonjë sulm eventual terrorist