Ish-infermieri i “Medicus” tregon për operacionet që “Dr. Vampiri” i bëri në Kosovë

  28 Oct 2017

Një ish-infermier i Kujdesit Intensiv në klinikën famëkeqe “Medicus” ka treguar të enjten në seancën gjyqësore se ka parë pacientë të huaj të cilët ishin operuar nga i dënuari dr. Lutfi Dervishi dhe mjeku turk i njohur si “Doktor Vampiri”, Yusuf Sonmez. Madje, ai dëshmoi se i ka parë edhe varrat e pacientëve, të cilat ishin shkaktuar nga operacioni, mirëpo atij nuk i ishte lejuar që të merret me pacientët, edhe pse kjo ishte puna e tij, të kujdeset për ta. Kujdesin ndaj pacientëve, dëshmitari tregoi se e bëri vetë mjeku turk, i njohur si “Dr. Vampiri”, raporton Gazeta Express nga seanca e sotme e gjykimit për rastin “Medicus”.

Nuk ka punuar dhe aq gjatë në klinikën “Medicus”, mirëpo ish-infermieri i kësaj klinike, kishte parë mjaftueshëm se çfarë kishte ndodhur në këtë vend, e për këtë edhe u thirr të japë dëshmi para trupit gjykues të përbërë nga prokurorët dhe gjyqtarë të EULEX.

Gazeta Express po vazhdon ta përcjellë rastin “Medicus”, duke raportuar për dëshmitë e dëshmitarëve për raportet e tyre me mjekët e dënuar dhe zhvillimet në klinikën famëkeqe të Vushtrrisë në kohën për të cilën u zhvilluan hetime për transplant të paligjshëm veshkash.

Besim Gashi, dëshmitari në rastin i cili po vazhdon nga viti 2008, ka dhënë deklaratë edhe më parë, por pasi Supremja kërkoi që ky rast të shkojë në rigjykim, ai u thirr edhe një herë të japë dëshminë e tij para trupit gjykues të EULEX. Dëshminë e parë ai e kishte dhënë më 12 tetor të 2011, të dytën në nëntor të po atij viti dhe dëshminë e tretë në vitin 2013.

Gashi, mjaft i sigurt dhe me plot bindje për ato që i kujtoheshin që nga viti 2008, u përgjigj në pyetjet e parashtruara aty për aty.

Nuk i ra që të punojë gjatë në këtë klinikë, mirëpo tregoi gjithçka që kishte parë gjatë kohës që punonte aty në vitin 2008. Ai është punësuar në “Medicus” po atë vit që u mbyll kjo klinikë, në vitin 2008. Ishin dy pacientë të huaj që dëshmitari Gashi i pa që ishin operuar nga mjeku turk Yusuf Sonmez, i njohur edhe si “Doktor Vampiri” dhe urologu Lutfi Dervishi.

Njëri pacient ishte nga Izraeli dhe tjetri ishte nga Turqia, tregoi Gashi në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Për të dy këta pacientë, ish-infermieri i “Medicus” tregoi se u kujdes vetë mjeku turk Yusuf Sonmez, edhe pse ishte detyra e Gashit që të merret me pacientët që kanë hyrë në operacione.

Edhe pse ky dëshmitar ka dëshmuar tri herë para trupit gjykues lidhur me këtë rast, prokurorja e EULEX’it ia parashtroi disa pyetje të cilat nuk ia kanë parashtruar më herët këtij dëshmitari, kështu duke nxjerrë prova të reja lidhur me të bëmat e mjekëve që punonin në klinikën Medicus, raporton Gazeta Express.

Besim Gashi, ish-infermieri i kësaj klinike, tregoi se në Medicus ka punuar me gjysmë orari, pasi atë kohë ishte infermier edhe në QKUK. E për kushtet e punësimit dhe pagën, ka biseduar me ish-infermieren e kësaj klinike Mendehije Hajdari, dëshminë e së cilës Gazeta Express e ka përcjellë të mërkurën.

“Për kushtet e punësimit kam folur me Mendehije Hajdarin, ajo ka qenë shefe e infermierisë. Edhe për pagën kam biseduar me të”, tha dëshmitari, derisa infermierja e cila tani punon në FSK, të mërkurën në seancën gjyqësore ka thënë krejtësisht të kundërtën.

I pyetur se në çfarë forme është paguar, dëshmitari tha se ishte paguar cash (me para në dorë).

“Të ardhurat i kemi marrë cash, zakonisht na i ka dhanë kryeinfermierja, Mendehije Hajdari. Ajo gjithashtu ka qenë përgjegjëse për bërjen e ndërrimeve, materialin që kemi pasur nevojë e kemi porositë përmes saj”, ka thënë ai.

Të mërkurën Express ka publikuar dëshminë e Mendehije Hajdarit, e cila në Gjykatë e ka ndryshuar dëshminë e saj nga ajo që kishte deklaruar më 2008’ën, kur është arrestuar.

Besim Gashi ka punuar në njësinë e Kujdesit Intensiv, e cila gjendej në katin e parë të klinikës “Medicus”. Ndërsa, ai tregoi se infermierët tjerë që kanë punuar në këtë njësi të intensives, kanë qenë Genc Trasholli, Ardian Gashi, Imer Asllani dhe Dardan Maliqi.

Derisa, për ish-infermieren tjetër, Shpresa Makolli e cila ka punuar në përdhese të kësaj klinike, bashkë me të dënuarin Lutfi Dervishi, tha se ajo ka punuar në sallën ku janë kryer operacionet. E kjo sallë, ka qenë në katin e parë të klinikës Medicus. Megjithatë, ai tha se nuk e di se cilat kanë qenë detyrat e kësaj infermiere, e që ishte e vetmja që ka pas qasje në sallën e operacionit, pasi infermierët e Intensives nuk kanë pasur qasje aty.

Ai dëshmoi, mjaft bindshëm, se përveç infermieres Shpresa Makolli, askush tjetër nuk ka punuar në sallat operative.

E për mjekun famëkeq, turkun Yusuf Sonmez, Gashi dëshmoi se me të ishin konsultuar për barna ose çka do tjetër rreth pacientëve që kanë dalë nga salla e operimit.

Prokurorja i kërkoi dëshmitarit që ta përshkruaj mjekun turk Yusuf Sonmez, se si dukej.

“Ai ishte nga Turqia. Dukej një person jo fort trup shkurtë, me flokë të rruara dhe ka pasur syze”, ishte ky përshkrimi i dëshmitarit për Sonmezin. Gashi gjithashtu tregoi se udhëzimet për terapi të pacientëve i kanë marrë nga Yusuf Sonmez, në bazë të së cilave ekipi i Kujdesit Intensiv kanë vepruar.

Pacientët, pas ndërhyrjeve kirurgjike, në Kujdesin Intensiv kanë qëndruar ndoshta 3-4 ditë, por nuk e di bash saktë”, tha ai, derisa përmendi se të gjithë pacientët pas operacioneve silleshin menjëherë në Kujdesin Intensiv, pasi salla ku janë kryer operacionet kishte dalje në këtë njëri të Intensivit.

“Gjatë kohës sa kam qenë unë atje, unë kam qenë dy herë në ndërrim kur janë sjellë pacientët nga salla e operacionit. Ata ishin të lodhur dhe të përgjumur”, tha dëshmitari.

Kjo dhomë e kujdesit Intensiv ka pasur 4 shtretër, mirëpo dëshmitarit i ra t’i shihte vetëm dy pacientë gjatë kohës sa ka punuar si infermier në Medicus. Udhëzimet që mjeku Sonmez ua dha infermierëve të kësaj njësie, ishin përcjellja e parametrave vital, ordinimi i medikamentit dhe gjëra të tjera të ndryshme për ndihmë ndaj pacientit.

Dy pacientët që i pa ish-infermieri i Gashi në këtë klinikë, ishin të huaj. Ai tregoi se njëri ishte nga Turqia dhe tjetri ishte nga Izraeli. Mirëpo, ai përmendi edhe një pacient, i cili tha se mendon se ishte nga Gjermania.

E ky pacient nga Izraeli, për të cilën dëshmitari foli, i kishte 55 ose 56 vjeç. Mirëpo, edhe pse ishte puna e Besim Gashit që të kujdesej për pacientët, këtë e bëri mjeku Yusuf Sonmez, i cili gjithashtu akuzohet për transplantim të organeve, më saktësisht të veshkave.

“Po, ai është kujdesur për varrat e pacientëve”, dëshmoi Gashi.

Pjesë e seancës, ishin edhe një fotoalbum të cilin e prezantoi prokurorja e EULEX’it, aty ku ishin fytyrat e punonjësve të klinikës “Medicus”. I pyetur se cilin nga këta persona që ishin në këtë fotoalbum, dëshmitari Gashi tha se i njeh mjekun turk Yusuf Sonmez, anesteziologun Sokol Hajdini, urologun Lutfi Dervishi dhe djalin e tij, Arban Dervishi, i cili që nga fillimi i këtij procesi gjendet në arrati. Këtë fotoalbum, gjykatësja e EULEX e shënoi si provë materiale të këtij rasti.

Mirëpo, dëshmitarit iu paraqitën edhe disa fotografi të plagëve të pacientëve. Ai pohoi se plagët që i pa në fotografi ishin të ngjashme me ato që i pa te pacientët që u sollën pas operimeve në Kujdesin Intensiv dhe për të cilët dëshmoi se u kujdes mjeku Yusuf Sonmez.

Këto plagë, prokurorja tha se ishin të një dëshmitari të mbrojtur i cili iu nënshkrua një operacioni të tillë dhe inicialet e tij janë A.K.

Pacientët që u operuan, kryesisht morën antibiotik gjatë qëndrimit të tyre në Intensiv, analgetik dhe antiperetik.

Mirëpo, për një ilaç të quajtur Imunusupresiv, i cili përdoret tek personat që bëjnë transplant të ndonjë organi, dëshmitari tha se nuk ka pasur një udhëzim të tillë nga mjeku Sonmez që t’ia japë pacientëve këtë ilaç.

 

Ai gjithashtu tregoi me emra ekipin që kanë kryer operacionet, ekipi i Yusuf Sonmesit, e ata janë: vetë mjeku turk Sonmez, urologu Lutfi Dervishi dhe ekipi i anesteziologëve i cili u përbë nga Islam Bytyqi, Sokol Hajdini dhe Sylejman Dulla. Dëshmitari tha se për të dyja rastet që ai i pa pacientët, ishin këta të tre anesteziologë që kanë dalë nga salla e operimit.

“Pas operimit ishte vetëm Yusuf që i ka vizituar pacientët në njësinë e Intensives”, tha dëshmitari, duke treguar se me këtë mjek ai ka biseduar në gjuhën angleze.

Mirëpo, pjesë e ekipit të Yusuf Sonmez ishte edhe mjeku Dr. Kinan. “Ai ishte më i moshuar se Yusufi, ai është prezantuar si Dr. Kinan. Vinte bashkë me Sonmezin në Intenzivë për t’i vizituar pacientët”.

Pas 10 minutave pauzë, seanca vazhdoi me pyetjet e mbrojtjes së të dënuarit Lutfi Dervishi, avokati Valon Hasani. Por, pas avokatit, edhe vetë Lutfi Dervishi pati një pyetje për dëshmitarin.

Hasani e pyeti dëshmitarin se nga e di që Dervishi kishte kryer operacione. E dëshmitari u përgjigj “Salla e operacionit ka pas dalje në kujdesin Intensiv, ata dy persona që i kam përmend, i kam pa t’u dalë nga aty, ata ishin Sonmez dhe Lutfiu, por edhe ekipi i anesteziologëve”.

Pas kësaj dëshmie, i dënuari me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2013, Lutfi Dervishi, u nervozua pak sa, dhe kërkoi që t’i bëjë pyetje dëshmitarit Besim Gashi.

“A m’ke pa ndonjëherë t’u operu bashkë me Sonmezin në sallë të operacionit?”, pyeti Dervishi, derisa Gashi tha se njësia Intensive nuk ka pas qasje në sallë të operacionit, andaj nuk e ka parë Lutfiun duke kryer operacione të tilla, por vetëm se e ka parë duke dalë nga ajo sallë.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.