Ish i burgosuri politik: Këta janë shqiptarët që më arrestuan e më torturuan në kohën e Serbisë
Ish-veprimtari dhe i burgosuri politik, Haki Morina në Facebook ka publikuar një shkrim ku nxjerr disa prej kujtimeve të tij nga viti 1982 kur është burgosur nga regjimi serb.Morina, në këtë shkrim përmend edhe disa prej shqiptarëve, atëherë pjesë e policisë serbe, të cilët kishin marrë pjesë në përndjekjen e tij policore dhe torturim ndaj tij.Madje përmend edhe Gani Hajdarin si një ndër personat që e ka marrë në pyetje Morinë, për të cilin thotë se tash është një nga drejtuesit e Policisë së Kosovës me gradën colonel, shkruan Periskopi.
Morina, në shkrimin e tij përmend edhe shqiptarë të tjerë të cilët kanë arrestuar e torturuar shqiptarë për veprimet e tyre kundër sistemit të Millosheviqit.Shkrimin e Morinës e publikojmë më poshtë, pa ndërhyrje redaktoriale:Heret, në mëngjesin e asaj dite te zymte, te 3 prillit të vitit 1982, disa policë shqiptarë erdhën në shtëpi të më merrnin. Pasi vërrejta, që s’ka shumë policë dhe nuk jemi të rrethuar, tentova të fshehem. Babai doli dhe iu tha se jam te daja, por ata iu pergjigjen se grupi tjetër i policëve, në ato çaste, është duke u kontrolluar shtëpia e dajës tim dhe që unë nuk isha atje.
Kësaj rradhe, më dërguan direkt në Pejë, disa policë që ma fyenin nënën gjatë tërë rrugës…!
– Kryeni detyrat tuaja, e mos u merrni me nënën time, sepse ajo nuk është fajtore, iu thashë. Njëri nga ata reagoi ashpër, duke më thënë:
-Nëna jote është fajtore që ka pjellë nje djale të tillë si ty.
Isha i lidhur me pranga, por edhe po te doja, s’kisha si të reagoja në çfarëdo mënyre qoftë!
Në Pejë gjatë dorëzim-pranimit, një UDB-ash, zeshkan, me sy si të miut (Xheladin Beqiri) mu drejtua e më tha :
– Ti je Haki Morina?!
-Po, i thashë!
– Eh,- tha, – për ty më ka folur shumë Ajet Gashi, dhe mbajti shikimin nje kohe te gjate drejt syve e mij, por as une s’i largova syte!
Dha urdhër të më dërgonin në qeli, por të gjitha ishin të zëna ! U sollën poshtë e lartë, duke kërkuar dhoma, por të gjitha ishin të ngarkuara, për shkak të arrestimeve të shumta, e në fund u detyruan të më vendosin në një dhomë, edhepse s’kishte krevat të lirë, me 6-7 të burgosur tjerë, të gjithë të burgosur politik, përveç një djali shumë të ri, me emrin Isa, i cili ishte i dënuar për vjedhje! Sa më kujtohet, ishin Sali Lukaj, Ujkan Nikçi, Skender Baftia, Miftar Bogiqi! Të tjerët s’më kujtohen më, përveç disave, që erdhën më vonê si këngêtari Muhamet Avdia, etj. Tri ditët e para, s’më morën në pyetje! Më kujtohet, që me kolegët e burgosur patëm diskutuar për punĕn e leximit të librave, dhe kur ju tregova, që kam lexuar rreth 700-800 libra, me shikuan me dyshim, si një njeri që gënjeshtrën e kam formulën kryesore të komunikimit. Prandaj, u distancuan ne njefar forme me mua, ose te pakten nuk mê kushtonin vëmendjen shumë. Por ky qendrim, ndryshoj pas pak ditesh! Edhe ashtu, mua nuk me flitej, sepse e dija se çfarë më pret në zyret e hetuesisë. Miftar Bogiqi, me njihte, sepse ishte sekretari i shkollës dhe bashkëpunëtor në veprimtarinë tonë në gjimnaz, por ai u paraqit që s’më njihte. Prandaj mu desht të paraqitesha edhe unë sikur nuk po e njoh.
Pas tri ditësh, filloi ferri i torturave. Natën e parë, rreth orës gjashtë tê mbrëmjes më morĕn në pyetje nëntë inspektor tĕ UDB-së. Mezi i numërova. Te gjithĕ nuk më kujtohen me emër. E dij që në fillim Xheladin Beqiri ishte ulur përballë, Gani Hajdari (tash njëri nga drejtuesit e Policisê së Kosovës, me gradën kolonel) në karrigën anash meje, e të tjerët qëndronin në këmbë. Xhela filloi i pari, duke më thënë:
– Hajde tash trego, prej që ke filluar e deri tani çfarë ke bërë?
-Veç nëse doni t’ju rrej, sepse unë s’kam për cka t’ju flas, – u përgjigja menjëherë. -Atëherë, fillo pra me na rrejtë, reagoi Xhela.
Atëherë i thashë, – Unë dhe Hajdar Dushi, nga Gjakova, i kemi bërë të gjitha ato çfarë kanë ndodhur.
Goditje të fortë me grushta, përjetova menjëherë nga Gani Hajdari, i cili qirrej duke më thënë :
– Përsërite edhe njëherë Hajdar Dushin!
Pas kësaj, ata më zhvendosën në një dhomë tjetër, në errësirë të plotë. Shumica mbanin shkopinjë gome në duar, e disa prej tyre mbanin ca shkopinjë të një madhësie, të cilët s’i kisha parë kurrë. Dukeshin si të ishin çadra të zeza e të mbyllura. Meqë dy prej tyre ishin serb, njeri ishte zëvendes i Xhelës, e tjetri punëtor, më dukej se njeri quhej Zhelko e tjetri Angjellko. Nĕ mesin e tyre, ishte edhe Ajet Gashi, por më thonin se ky nuk është Ajeti, por vetëm i përngjan atij.
Së pari, Xhela më kërkoi ta kapi njërin nga shkopinjt që i ngjanin çadrës. E provova ta kapi, më shume nga kurreshtja se cfarë ishte ajo. Sapo e kapa, ma hodhi dorën përpjetë duke ma përplasur për muri. Ishte shkop prej rryme (sigurisht me bateri rryme brenda). Pas kësaj filluan goditjet në dorë me shkop të zakonshëm gome, por dikur e hoqa dorën se përballoja dot dhe pas kësaj filluan goditjet kudo ku kishin mundësi. Xhela u largua (sigurisht për të marrë në pyetje të tjerët). Vinte dhe i pyeste kolegët e tij se a kam fol ende diçka. Në një moment, i nervozuar që s’kishin arritur akoma të nxjerrnin fjalë, i fyejti të gjithë kolegët dhe iu tha të më shtrinin menjëherë për toke. Më mbanin tre a katër veta, sepse unë refuzoja të shtrihesha. Atëherë filloi me goditje me tërë forcën në shputat e këmbëve. Në të njëjtën kohë, nuk ndaleshin, duke ma prekur trupin me ata shkopinjtë e rrymës. Pasi më ngritën në këmbë, mundoheshin të më futnin shkopin e rrymës mes këmbëve, por nga frika e ndonjë pasoje, unë i kryqëzoja këmbët me krejtë forcën dhe ua theva dy shkopinjë.
– Ti edhe dëm ekonomik po na sjelle a? – tha njëri prej tyre, duke më goditur.
Dhimbje të mëdha ma përshkonin krejt trupin dhe humbja vetdijen. Dikur, e pashë si zgjidhje, që të provoja sikur u çmenda dhe simuloja njeriun e krisur. Ata bën ca prova nëse po aktroja apo jo, por nuk ishin të sigurtë, psh. më thanë të eci drejt nëpër korridor dhe të ndalem tek zyra e fundit. Pas zyrës së fundit ishte një xham i madh. Nëse shkoje drejtë, bije nga kati i tretë në tokë. Unë s’u ndala në zyrën e fundit dhe vazhdova i hutuar drejtë e në xham! Pak pa e hedhur hapin e fundit, dëgjova bërtimën mbrapa: NDAL! Kjo i bëri të më besonin deri diku. Ishte ora tre e mëngjesit, kur thirrën „komandirin“ të vinte e të më kthente në dhomën time te burgut. Pasi s’mund të ecja, më ndihmuan edhe tre policë tjerë dhe më dërguan për këmbê e duar në dhomën time. Të tjerët ishin në gjumë, por u zgjuan dhe më ndihmuan, duke mi futur duar e këmbë në një vaskë plastike të mbushur me ujë, për të zbutur sadopak dhimbjet e tmerrshme. Kështu vazhdonte gati çdo tre katër ditë me pyetje e tortura. Më kujtohet që njëri nga të burgosurit, Skender Baftia, më priste pa fjetur, derisa më kthenin, e kthimi ndodhte zakonisht rreth orës dy apo tre të natës. Meqenëse s’mund të haja bukë me duart e mia, ata më ndihmonin shpesh të ushqehesha.
Dikur shëndeti im filloi të keqësohej shumë dhe kisha nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.
Duke parë këtë gjendje, i burgosuri tetëmbëdhjetë vjeçar Isa (qe ishte i dënuar për vjedhje), duke rrezikuar shumë, (sepse ishte shume i vështirë komunikimi nga dhoma në dhomë), nisi iniciativën e një greve urie për krejt burgun! Greva zgjati dy ditë. Pas dy ditësh, nuk më dërguan në spital, por e sollën ekipin mjekësor në dhomë, duke i larguar të gjithë të burgosurit tjerë. M’i bënë formalitetet mjekësore dhe më dhanë injeksione me gjilpërë si dhe ilaqe tjera, të cilat më ndihmuan të ngritem.
Vizitat ishin të ndaluara, por çdo pesëmbëdhjetë ditë, familja kishte të drejt të sillte një pako. Pakon duhej ta mbushnim me rrobat tona të palara, në mënyrë që të na i sillnin pas dy jave të pastërta. Nga pakujdesia, njëri nga të burgosurit, kishte futur në pakon për kthim edhe rrobat e mia të përgjakura. Për fat, familja e një të burgosuri tjetër, gjatë pranimit, i kishte vërrejtur këto rroba dhe nga frika, që po i sheh nëna, i kishte nxjerrë nga pakoja ime dhe i kishte vendosur në pakon e tyre.
Kjo gjendje zgjati deri më 27 tetor të vitit 1982, periudhe gati gjashmujore, kur u lirova përsëri.