Ish-anëtari i SHIK-ut zbulon emrat: Ja 5 personat që i shkruan Komunikatat në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
“Këta janë emrat të cilët kanë shkruar Komunikatat, të tjerë nuk ka aty”, thotë Miftari për Gazetën “Bota sot”.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti ka deklaruar se nuk e ka lexuar asnjëherë Komunikatën numër 59, dhe nuk e din se kush e ka shkruar.
Haliti ka thënë se ai ka qëndruar në Tiranë dhe nuk ka njohuri shumë për situatën e cila ishte në Kosovë, sidomos për Betejën e Koshares por edhe për luftën në përgjithësi.
E këtë deklaratë të Halitit e ka quajtur rren të kulluar si po të ishte për 1 prill, Naim Miftari, ish-agjent i SHIK-ut, dhe ish-epror i lartë i UÇK-së, TMK-së dhe Policisë së Kosovës.
Ai thotë se Komunikatat janë drejtuar nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Adem Grabovci.
“Këta janë emrat të cilët kanë shkruar Komunikatat, të tjerë nuk ka aty”, thotë Miftari për Gazetën “Bota sot”.
“Nuk është me rëndësi hiq kush i ka lëshuar nga banhofat e Araus e Zvicrës, këta janë përpiluesit dhe arkitektët e komunikatave dhe listave të zeza, kurse tash tuten me pranua se janë bë të pasur dhe munden me dhënë përgjegjësi ligjore, por edhe kanunore para të dëmtuarëve pasi përveç që janë vr arë apo janë sulmuar, ata janë quajtur publikisht edhe tradhtarë”, thotë Miftari.
Ai e merr si shembull Komunikatën numër 59, kundër familjes Geci.
“Edhe pse kjo familje ishte familje atdhetare dhe ishin luftëtarë të UÇK-së dhe të gjithë ishin në luftë kundër Serbisë prapë për hakmarrje të ulëta politike e etiketuan si tradhtar edhe pse asnjëherë gjatë historisë Bajraktarët e Llaushës nuk kanë qenë të tillë, por ishin gjatë tërë historisë gjithmonë luftëtar të çështjeve kombëtare kundër pushtuesve serb dhe malazez. Komunikata numër 59 ishte tentim leje për t’i vr arë Gecët e Llaushës, familjen e Fadilit, Ganiut, Haxhiut, Halilit, Esatit, Nehatit dhe Nebihut”, thotë tutje Miftari.
Sa i përket deklaratës së Xhavit Haliti i cili thotë se nuk ka pasur FARK, Miftari shprehet se për këtë duhet me u vet Bujar Bukoshi, Isa Mustafa, Rrustem Berisha, Anton Çuni dhe shumë të tjerë që ishin në rrjedha si FARK-sta.