fbpx

Ish-anëtari i SHIK-ut “godet” presidentin, tregon marrëveshjen me të cilën Thaçi ka shuar UÇK-në

  10 Dec 2017

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Couci, ka thënë se KFOR mbetet ushtria e vetme në Kosovë, që siguron paqen.

Duke folur për mediat serbe, Couci ka thënë se nëse Kosova dëshiron të tranformojë FSK-në në ushtri, kjo duhet të bëhet përmes Kushtetutës.

“Forcat e sigurisë e Kosovës nuk janë forcat e armatosura, ata reagojnë në rast të fatkeqësive natyrore. Ata janë të trajnuara mirë për këtë, por në qoftë se institucionet e Kosovës duan t’i transformojnë në ushtri, ky është një proces i cili edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s duhet të kryhet në përputhje me Kushtetutën. Në qoftë se Kosova vendos të ndërmerr hapa të mëtejshëm në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, atëherë duhet të rishqyrtohet qëndrimi i NATO-së ndaj KFOR-it “, ka thënë komandanti i KFOR-it, duke shtuar se tani në Kosovë nuk ka asnjë mision tjetër për të garantuar sigurinë.

E ish-anëtari i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari, duke komentuar këtë deklaratë, ka thënë se Couci e din se presidenti Hashim Thaçi, nuk e ka seriozisht formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai ka fajësuar Thaçin se “për karrierë politike, ka shuar UÇK-në me marrëveshjen K-90/1999, duke i lënë ushtarët e UÇK-së, nën mëshirën e bandave dhe shërbimeve sekrete”.

“Sipas mendimit tim edhe komandanti i KFOR-it, italiani Salvatore Couci, e din mirë se politikanët tanë, sidomos presidenti, nuk e ka seriozisht formimin e ushtrisë, aq më pak presidenti, i cili për përfitime të veta materiale dhe për karrierë politike, e pat shuar tërë UÇK-në, me nënshkrimin e marrëveshjes K-90/1999, duke i lënë rrugëve ushtarët nën mëshirën e bandave dhe krimit të organizuar, por edhe nën mëshirën e shërbimeve sekrete, ku shpeshherë ish-ushtarët, ishin viktimë ose ishin edhe vrasës”, është shprehur Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai ka theksuar nevojën e formimit të ushtrisë së Kosovës, duke alarmuar se Serbia ka shtuar fuqinë ushtarake.

Miftari ka shtuar se donacionet e Rusisë dhe Bjellorusisë me armatim dhënë Serbisë, janë tregues se në Ballkan do të ketë tensione ushtarake edhe shumë kohë.

“Kosova duhet të ketë ushtrinë e pajisur e armatosur dhe përgatitur shumë mirë, pasi armiku, Serbia, e ka shtuar dhjetëra herë fuqinë ushtarake me armë që i merr më lirë ose donacion nga Rusia dhe Bjellorusia si aeroplan Mig 29 UMV, tanke T72.B, helikopter rus Mi 17, helikopter të blerë rishtas M-145 e raketa 300 Buk 2 . Kjo tregon se në Ballkan do të ketë tensione ushtarake edhe shumë kohë. Prandaj, ne duhet të kemi ushtrinë tonë të armatosur jo forcë, jo trupa, por ushtri të vërtetë. Qe 18 vite rresht jetojmë me iluzione e me gënjeshtra se kinse TMK, pastaj FSK janë ushtri, por nuk janë. Ushtria duhet formuar me ndihmën amerikane , britanike dhe gjermane, por nuk duhet lejuar Listën serbe ta ketë fjalën dhe rolin kyq, kur dihet se kjo listë e Beogradit, do të jetë gjithmonë kundër Kosovës, që ne të kemi ushtri të fortë dhe të mirëfilltë”, ka thënë më tej ish-anëtari i SHIK-ut.

Miftari në fund ka thënë se ushtria duhet të formohet pa Listën serbe dhe pa presidentin Thaçi.

“Ushtria duhet të formohet, por jo me Listën serbe dhe presidentin tonë që bëhet patriot vetëm kur I duhet që ta shpëtojë veten nga dështimet e pas luftës”, ka shtuar Naim Miftari.