Seanca për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, gjatë ditës së djeshme u ndërpre pasi që LDK-ja nuk votoi fare për këtë marrëveshje, ndërsa për ta kaluar atë nevojiten 2/3 e votave.
E lidhur me këtë çështje në vazhdimin e sotëm të seancës plenare ka folur shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti.
Ai është shprehur se këtë veprim LDK-ja e ka bërë për t’i treguar, siç thotë ai, Qeverisë se ligjet e marrëveshjet në Kuvend nuk do të mund të kalojnë pa e marrë miratimin e shumicës shqiptare.
“Ne dje i kemi tregu Qeverisë për mosvotim se kjo marrëveshje e tillë nuk mund të kalojë pa miratimin e shumicës shqiptare. Kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale. Ne nuk do të lejojmë që kjo marrëveshje të mos kalojë”, ka thënë ai.
E ndërkohë mocioni për diskutim të marrëveshjes financiare për IPA ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian është votuar me 93 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.