fbpx
HEKURAN MURATI: NUK EKZISTOJNË 1.2 MILARDË EURO, KJO QEVERI ME DEGRADIMIN E SITUATËS SË PANDEMISË MBYLLI DYERT EDHE PËR DIASPORËN

HEKURAN MURATI: NUK EKZISTOJNË 1.2 MILARDË EURO, KJO QEVERI ME DEGRADIMIN E SITUATËS SË PANDEMISË MBYLLI DYERT EDHE PËR DIASPORËN

  18 Jul 2020

I ftuar në emisionin “Pa maskë”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati ka deklaruar se një prej mashtrimeve më të mëdha të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti është pikërisht pakoja për “Rimëkëmbje ekonomike”.

Sipas tij, në këtë pako hyjnë edhe 15 masat e prezantuara të “Pakos emergjente” nga qeveria e Albin Kurtit, prej të cilave shumica janë të shpërndara.

Qeveria Hoti nuk ka më shumë se sa 200 milionë euro për “Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike” ka deklaruar Murati. “Edhe për shumën të cilën e kanë prezantuar nuk është se kanë specifikuar se cilat kategori do të shpenzohen mjetet apo se kush do të jetë përfituesi. Vetëm kërkojnë përkrahje por nuk tregojnë se ku do të shkojnë paratë”, ka deklaruar Hekuran Murati.

Ai ka thënë se kjo qeveri ka neglizhuar seriozisht pandeminë Covid – 19 duke hapur pa kontrollë bizneset gjë që ka sjellë situatën që Kosova të kryesojë listën e shteteve me infeksionin më të lartë për kokë banori, njofton 24-ore.info

“Në shtetet prej nga vijnë diaspora jonë jemi në listë të zezë. Pra, me fjalë të tjera kushdo që vjen nga mërgimtarët tanë në Kosovë, kur të kthehet duhet së paku 14 ditë të qëndrojë në karantinë”, ka deklaruar Murati. Sipas tij kjo do të ndikojë në rënien drastike të numrit të mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë gjatë këtij viti të pandemisë.

“Tash jemi në muajin korrik dhe do të duhej me pa që çdo i dyti kerr me qenë me targa të huaja. Nuk e kemi atë rast. Rrallë të bjen të shohësh vetura me targa të huaja. Dhe çfarë ndodh në këtë situatë. Diaspora si remitenca i dërgon diku rreth 800 milionë euro në vit. Por, janë edhe rreth 1 miliardë euro të tjera të cilat shpenzohen kur ata vijnë këtu. Pra, vijnë qëndrojnë, shumica prej tyre më tepër se një muaj ndoshta. Ky “infuzion për bizneset” për shkak se kemi pasur një degradim të situatës shëndetësore, ky “infuzion” do të na mungojë”, ka deklaruar Murati duke thënë se kjo Qeveri me veprimet e saj ka ndikuar që këto 1 miliardë euro mos të hyjnë në Kosovë, ndërsa tani pretendon që ekonominë ta ndihmojë me 200 milionë euro në dispozicion./24-ore.info