Haziri tregon se kush e sabotoi Demarkacionin, ka një premtim për elektoratin e LDK-së
Në një intervistë kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka shpjeguar se roli i Listës Serbe në këtë qeveri është kritik sepse nga 61 vota sa i ka kjo qeveri në Kuvend, ata i kanë nëntë. Haziri ka theksuar se qeveria aktuale do të jep llogari mbi baza ditore. Në anën tjetër, ai konsideron si “blerje kohe”, formimin e Komisionit të ri për Demarkacionin. Ai ka folur edhe për formimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se janë të paarsyeshme vonesat e funksionalizimit të saj. Po ashtu, ai ka potencuar se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, LDK është duke konkurruar për fitore të madhe në gjithë Kosovën.
Si e vlerësoni Qeverinë e sapo formuar në krye më Ramush Haradinaj?
Lutfi Haziri: Qeveria e madhe me numra dhe e shkallëzuar me pozita sepse përvec kryeministrit i kemi pesë zëvendëskryeministra, që është qeveri e vogël brenda qeverisë së madhe, duke i akomoduar 22 parti në 61 vota të Kuvendit. Kjo qeveri është jashtëzakonisht e vështirë të menaxhohet, por po presim se si të vazhdoj këto ditë e këto javë në realizimin e objektivave që ka. Ende nuk ka paraqitur program dhe vizion para Kuvendit dhe para qytetarëve. Akoma nuk ka paraqitur një platformë me të cilën do t’i bazonim vlerësimet tona.
Si e shini përfshirjen e Listës Serbe në qeveri dhe roli që iu jep asaj në formimin e qeverisë?
Lutfi Haziri: Komunitetet etnike dhe serbët janë në qeveri me të drejtë Kushtetuese, nuk ka të bëjë me të drejta politike. Por, roli i Listës Serbe në këtë qeveri është kritik sepse brenda 61 vota sa i ka kjo qeveri në Kuvend, ata i kanë nëntë. Natyrisht, duke qenë grup politik i ndikuar drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar dhe Serbia zyrtare si politikë dhe me kërkesat që i parashtrojnë, janë grup politik i cili do të kushtëzoj shumë vendime në Kosovë, shumë vendimmarrje të kësaj qeverie dhe do t’i vështirësoj shumë procese politike në Kosovë.
LDK zyrtarisht ka thënë që nga këtu fillon puna për t’u rrezuar ketë qeveri? Jeni te bindur se mund ta rrezoni qeverinë Haradinaj?
Lutfi Haziri: Ne jemi grupi politik opozitar I madh dhe roli ynë është kritik në të bërit opozitë dhe në jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Nuk do të rrimë rehat. Kjo qeveri do të jep llogari mbi baza ditore dhe LDK do të jetë gardian I të gjitha proceseve politik që do të kaloj vendi.
Po çështja e demarkacionit si mendoni se mund te zgjidhet?
Lutfi Haziri: Ne në qeverinë e LDK-së e kemi pasur këtë proces dhe zaten ky proces ishte njëri prej shkaktarëve që u rrëzua qeveria dhe kauza në këtë proces është ndërtuar nga AAK dhe nga disa parti që janë në qeverisje. Me vetë faktin që PDK është në këtë qeveri, nënkupton që është program dhe proces i sabotuar nga ta. Nuk ka alternativë tjetër, pos të sillet ligji në Kuvend dhe ky institucion ta jap fjalën e tij. Kjo qeveri e ka të pamundshme apo të paimagjinueshme arritjen e 80 votave për ratifikiin e një ligji për demakracionin.
A do ta diskutoj LDK-ja çështjen e vrasjeve politike në Kuvend, dhe a do të kërkoj zbardhjen e këtyre rasteve?
Lutfi Haziri: Ne gjithmonë kemi kërkuar zbardhjen dhe gjithmonë kërkojmë që drejtësia të vie në vend. Në rastin e Kosovës drejtësia po vonohet ende. Shpresojmë shumë që do të vije dita që të zbardhen të gjitha rastet e dhunës politike dhe eliminimeve politike në Kosovë.
Po zgjedhjet komunale si i prisni, mendoni se LDK do ta fitoj Gjilanin?
Lutfi Haziri: Definitivisht, jo veç Gjilanin e Anamoravën, por në krejt Kosovën ne jemi duke konkurruar për fitore të madhe.