“Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”

  27 Nov 2017

Kur shqiptarët po përgatiteshin për kundërvënie ushtarake Serbisë pushtuese, u shënua vrasja e parë. Viktimë ishte zëdhënësi i UÇK-së, gazetari Ali Ukaj, me rezidencë në Tiranë, nga Lumbardhi i Deçanit. Për krimin u arrestua Hashim Thaçi, i cili do të lirohej, pas një bisede telefonike, me një gjeneral të Sigurimit shqiptar, që bëri Xhavit Haliti, nga Zvicra. Vrasja u mjegullua dhe kurrë nuk pati autorësi të besueshme!

Shërbimi Sekret jugosllav, (UDB-a), në kuadrin e tij, edhe ai i Kosovës, kanë dhënë emra agjentësh, të dërguar me shërbime speciale në gjirin e Mërgatës shqiptare. Sigurimi i Enver Hoxhës, partner i vjetër i UDB-së jugosllave, i rekrutoi agjentët shqiptarë të Serbisë, duke i bërë agjentë të dyfishtë. Ata zgjeruan rrjetin në Gjermani, Zvicër dhe gjetkë. Për t’i komprimentuar edhe më shumë, Sigurimi shqiptar i ftoi të bashkëkallin Shqipërinë në vitin 1997!

Sigurimi, me përkrahjen edhe të zyrtarëve social-komunistë të Tiranës, strukturimin e ri të LPK-së. Shkarkoi kryetarin, kryesinë e vjetër, mori në dorëzim Fondin e paligjshëm dhe krejt shpërdorues “Vendlindja thërret”, duke i sharë dhe akuzuar deri në tradhti. Në krye të LPK-së, në Mërgatë, vuri njeriun e dërguar nga Tirana. I njëjti mori edhe drejtimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Ndërsa Kryesinë e re e përbënin emra të pazëshëm në Mërgatë, por, mirë të njohur për UDB-në dhe Sigurimin Shqiptar.

Serbia i kishte argatët e vetë të gatshëm. Ajo kishte planifikuar, që, sido që të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, donte që njerëzit e saj të vihen në pozicione favorizuese për atë, Serbinë. Por, asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e social-komunistëve të Tiranës. Bëri si bëri, koordinoi me mikën tradicionale të Serbisë, Francën, e cila do t’ia ofronte Hashim Thaçit “mikun” e gatshëm, Arnaud Danjean, agjent i Sigurimit francez, DGES. Kurse, ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy, në një kanal televiziv, ka thënë: “Hashim Thaçi është agjent i Francës”.

Bardhyl Mahmuti, që konsiderohej ministër i jashtëm i Kosovës, në prag dhe gjatë luftës, kishte përcjellë me dyshime Hashimin me “mikun” e tij freng. Me një rast Hashimi ia prezanton si mik të shqiptarëve! Dhe, Bardhyli shpërthen me zemërim, se “ky është spiun i Serbisë dhe armik i shqiptarëve”.

Eksponenti shumë i përfolur i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, këtë zënkë e publikon në librin e tij. Publicisti dhe veprimtari veteran i Mërgatës shqiptare, Xhafer Leci, ashtu si shumica e mërgimtarëve, ka mendim negativ për Kelmendin, sepse, sipas tij, “Ibrahimi shpif dhe gënjen edhe në gjumë”. Por, kjo e dhënë i bënë përshtypje.

Duke qenë pjesëmarrës, në një promovim të një libri të Bardhyl Mahmutit, të organizuar nga Konsullata e Kosovës në Shtutgard, i bënë pyetje publike autorit të librit, nëse është e vërtetë, ajo zënka e tij me francezin hafije, “mik” i Hashimit, duke e cituar librin e I. Kelmendit? Bardhyli, i zënë ngushtë, por, duke njohur karakterin ngulmues të Xhafer Lecit, e pranon: “Po, është e vërtetë, ai ishte mik e spiun i Serbisë dhe armik i shqiptarëve”.

Pra, shefat e rinj të LPK-së, Sigurimsat e Enver Hoxhës, me zyrtarët qeveritarë komunistë, të konvertuar në socialistë; Serbia; Sigurimi francez, u pajtuan që të përdoret metoda e gatshme e komunistëve shqiptarë, kundër ballistëve, në Luftën e Dytë Botërore, për t’i sjellë në pushtet stalinistët e Kosovës.

Përçarja e shqiptarëve të Kosovës dhe të Mërgatës; ndarja e faktorit ushtarak; vrasja e kuadrove ushtarakë, e veprimtarëve dhe e bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës; përgaditja e listave të personave për ekzekutim; sabotimi, deri në dështim, të luftës në Kosovë.

I gjithë ky skenar ogurzi funksionoi si “sarkisuf” arab apo “sahat zviceran”. Në mes të Tiranës u ekzekutua ministri i luftës, në vlugun e luftës, kolonel Ahmet Krasniqi, i cili, trimërisht dhe profesionalisht, përgatiti infrastrukturën e luftës; u ekzekutua udhëheqësi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, tribuni i demokracisë shqiptare, Azem Hajdari, me aprovimin e presidentit Rexhep Mejdani, Fatos Nanos, Skënder Gjinushi, Ilir Meta, Paskal Milo, Fatos Klosi, me bandën e tij ekzekutive.

Lista emërore e ekzekutimeve vijoi me vrasjet serike: Enver Maloku, Sadri Ramqaj, Ilir Konushevci, Hazir Mala, Rushit Elezi, Qazim Jakupi, Muharrem Tafa, Xhemajl Mustafa, Idriz Rrecaj, Ramiz Hoxha, Selman Binishi, Rrahman Morina, Shaban Ramqaj, Haki Imeri, Shaban Manaj, Ekrem Rexha, Kosovë Zeqiraj, Albert Zeqiraj, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Ismet Jashari-Kumanova, Behaudin Hallaçi, Tahir Zemaj, Hasan Zemaj, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Ukë Bytyçi, Bardhyl Ajeti dhe shumë qindra të tjerë, për të arritur kuotën shifrore të 1.820 viktimave politike, të ekzekutuar nga “komandantët” dhe bandat e tyre, të cilët sot vazhdojnë pushtetin e tyre të përgjakur në Kosovën, kinse, të “lirë” e “demokratike”!! Vrasjet politike në Kosovë janë masive, madje shifra e tyre tejkalon numrin e dëshmorëve faktik, të rënë në luftën e Kosovës.