Haradinajt i ngushtohen punët, ky është kushti që ia kanë vënë ndërkombëtarët
Vendimi i Qeverisë Haradinaj për ta dërguar në Kuvend marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi bashkë me të gjeturat e reja nga komisioni i themeluar nga vetë Haradinaj, i njohur si ‘Komisioni Bulliqi’, është parë si një ‘vendosje e topit nga ana e Haradinajt’ në Kuvendin e Kosovës. Por sa do të jetë funksionale kjo ‘lojë’ e Qeverisë Haradinaj?
Në mbledhjen e 4 dhjetorit, Qeveria e Kosovës kishte dëgjuar disa orë rresht raportin me të gjeturat e Komisionit për Demarkacion me Malin e Zi, i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi.
Përfundimet e këtij raporti ishin se ‘Kosova ka humbur tokë me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi’. Ky raport, kishte renditur një varg shkeljesh që ishin bërë nga Komisioni paraprak i kryesuar nga Murat Meha.
Por po atë ditë, më 4 dhjetor, qeveria e Haradinajt vendosë që këtë raport bashkë me marrëveshjen e Qeverisë Mustafa për demarkacion, ta dërgojë për diskutim në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjeturat e raportit, pra ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri, pas njohjes së materialit nuk na mbetet shumë punë apo punë tjetër, pos ta procedojmë në Kuvend”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.
Por, burime të Periskopit brenda ambasadave të huaja në Kosovë, thonë se ambasadat e huaja në Kosovë, në veçanti ajo amerikane, i ka vendosur kusht Haradinajt, që kjo marrëveshje të mos shkojë as në shqyrtim të Komisioneve në Kuvend, pa u siguruar se janë mbledhur nënshkrimet për të kaluar demarkacioni.
‘Po, Qeveria fillimisht duhet të jetë siguruar që ka nënshkrimet e duhura për këtë çështje dhe pastaj të diskutohet më tutje’, ka thënë një burim prej njërës nga ambasadat e Kuintit.
Ndryshe, partitë politike janë të ndara me qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen për demarkacionin. LDK, thotë se ata do ta votojnë, ashtu siç do të votojë partia e Haradinajt.
Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, kohë më parë i ka thënë REL-it se Qeveria e Kosovës, fillimisht duhet t’i bindë deputetët e koalicionit qeveriës për ta votuar demarkacionin e pastaj të kërkojë ndihmë te partitë opozitare.
“Kam përshtypjen se kryeministri Haradinaj ka dërguar marrëveshjen në Kuvend vetëm sa për ta hequr nga rendi i ditës në Qeveri dhe jo më një plan të qartë dhe një ide të qartë se çka do të bëjë me këtë projektligj”, pati deklaruar Gashi.
Gashi e quante ‘lojë’ veprimin e Haradinajn për procedimin e demarkacionit në Kuvend.
“Zoti Haradinaj ka mundur ta rrëzojë në Qeveri këtë marrëveshja dhe t’ia dërgojë Kuvendit me rekomandim negativ, por mendoj se zoti Haradinaj ka bërë lojë me këtë rast dhe është e pandershme që të veprohet kështu”, deklaronte Gashi.
Kjo deklaratë e Gashit, vinte pas qëndrimit të PDK’së, parti e cila është pro demarkacionit në versionin aktual, por megjithatë e quajnë ‘qesharak’ raportin e Shpejtim Bulliqit nga Komisioni i ri për demarkacion.
Ishte zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili derisa po raportonte Komisioni Bulliqi, kishte ndërhyrë duke thënë se ‘ky komision nuk ka sjellur asgjë të re dhe asnjë fakt konkret’.
Raportin e Komisionit Bulliqi, presidenti Hashim Thaçi e kishte quajtur ‘debat shterp akademik’
E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore. Me vendimin e sotëm të Qeverisë, merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor”, shkruante Thaçi.