Grabitje dhe skandale, si u zhdukën 50 milionë euro në bankat shqiptare
SPECIALE/ 24 histori grabitjesh, vjedhjesh e mashtrimesh në banka. Si nisi seriali i plaçkitjeve në përmasa të mëdha dhe evoluimi në 25 vjet. Kush janë ato më të bujshmet që përfshinë deri guvernatorë të BSH dhe një kryeministër
Me falsifikim, me mashtrim, me maskë në fytyrë dhe armë në dorë, për njerëzit e krimit nuk ka patur rëndësi se në ç’formë duhet të vidhej një bankë. Në Shqipëri, rëndësi ka patur ta arrijnë këtë vjedhje, pavarësisht rrezikut. Historia e vjedhjeve dhe grabitjeve të bankave në Shqipëri, është një me moshën e postkomunizmit. Nuk bëhet fjalë, as gjatë mbretërisë dhe as gjatë komunizmit të vidhej ndonjë bankë. Por sistemi i ri demokratik, më saktë akoma, tranzicioni, solli edhe risinë: Për botën e krimit, banka u shndërrua në një koshere blete. Janë 24 histori të vjedhjeve, grabitjeve dhe abuzimeve në banka që, nëse i mbledh së bashku shumën, e grabitur rezulton se kjo shkon në 50 milionë euro, shifër tejet e konsiderueshme për Shqipërinë. Një shifër e tillë, sipas specialistëve, llogaritet sa të ndërtohet një rrugë e re e të gjatë 50 kilometra. Por shteti shqiptar ka humbur kaq shumë, jo vetëm në vlerë, por edhe në besim. Të gjitha, pa asnjë përjashtim, janë ngjarje të denja vetëm për fantazinë e Holliwood-it. Në formë të përmbledhur vijnë, për herë të parë, duke na sjellë mozaikun e një krimi tepër të ndërlikuar, të frikshëm dhe që tregon fuqinë e bandave, por edhe dobësinë e shtetit shqiptar.
1.
30 MARS, 1992 SKANDALI “ARSIDI”, SI U VODHËN 1.6 MILIONË USD
Kur Shqipëria përjetonte kalimin nga sistemi komunist, në atë demokratik dhe kur PD-ja sapo kishte ardhur në pushtet, shpërtheu një skandal bankar me shifra marramendëse për kohën. Një francez, me emrin Nikolas Arsidi, dhe i moshës 74 vjeç, mori përsipër shlyerjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, duke përfituar në formë honorari një kambial prej 1.6 milionë dollarë. Edhe pse paratë u morën, shlyerja e borxhit nuk u bë e mundur. Ndërkohë që, kjo mënyrë operimi u cilësua e jashtëligjshme. Pas nisjes së një procesi nga ana e prokurorisë, u arrestuan pesë zyrtarë të nivelit të lartë, mes të cilëve kryeministri Vilson Ahmeti i cili sapo kishte lënë detyrën, guvernatori Ilir Hoti dhe tre bankierë. Ata u dënuan nga 12 vjet burg, por, falë amnistive të bëra në vitin 1997, të gjithë të mësipërmit u liruan.
2.
29 JANAR, 1993 GRABITET BANKA E KURSIMEVE NË TIRANË
Vetëm dy vjet më pas, ndodh një tjetër grabitje dhe për koincidencë, sipas policisë, autorë janë po anëtarët e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”. Nën kërcënimin e armëve, personat e armatosur kanë hyrë në mjediset e bankës dhe morën paratë që ndodheshin. Sipas policisë, vlera e parave të marra shkonte 2.6 milionë lekë të rinj.
4.
TRAZIRAT E MARSIT, 1997 BANDAT GRABISIN TË GJITHA BANKAT E SHTETIT
Trazirat e marsit 1997, ishin goditje e madhe për të gjitha bankat e Shqipërisë. Në periudhën kur shteti ra dhe u shkatërrua gjithçka, pothuajse të gjitha bankat u shndërruan në target të grabitësve. U grabitën degët e bankës së Kursimeve në Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Skrapar, Tepelenë etj. Vetëm në filialin e Gjirokastrës, u grabitën afro 320 milionë lekë të vjetra, nga një bandë e armatosur prej 16 vetësh, të cilët mbetën të vrarë, dy ditë më pas, në masakrën e njohur të Levanit. Kurse për të grabitur bankën e kursimeve në qytetin e Beratit, bandat e këtij qyteti përdorën mjete të blinduara të cilat i kishin marrë në repartet e ushtrisë, të shkatërruara në atë periudhë.
5.
12 JANAR, 1998 GRABITEN NË BANKËN E TROPOJËS 480 MILIONË LEKË
Mungesa e shtetit vijoi, për inerci, edhe disa vite pas vitit 1997. Afro 1 vit pas trazirave, persona të armatosur, pasi morën peng dy policët që ruanin objektin e bankës së Kursimeve në Bajram Curri, u futën brenda saj dhe grabitën të gjithë shumën e parave që ndodhej aty, në gati 480 milionë lekësh, rrogat, pensionet dhe asistencën sociale të të gjithë rrethit.
6.
23 SHTATOR, 1998 2 MILIONË USD NË BKT, GJATË TRAZIRAVE
Zbulohet një skandal vjedhjeje, me përmasa të mëdha, në BKT. Dy zyrtarë të kësaj banke kërkuan të transferojnë në një bankë tjetër 2 milionë dollarë për llogari të BKT, por rezultoi se materialet shkresore, ishin false. Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Tiranës firmosi në mungesë, dy urdhër arresti për punonjësit S.Z. dhe A.L. Prokuroria nisi menjëherë hetimet pas denoncimit të BKT-së dhe çështja kaloi për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Një trup gjykues dënoi, me 2 vjet burg në mungesë, dy punonjësit, pasi ata ishin arratisur në Kanada dhe Amerikë.
7.
SHTATOR, 1998 ZBULOHET VJEDHJA E ARIT NË TUNELET E KRRABËS
Zbulohet një nga grabitjet më të mëdha në bankë. Këtë herë nuk bëhej fjalë për para, por për rezervat e arit në tunelet e Kërrabës. Zbulimi i bërë krejt rastësisht, rezultoi, në fakt, se ishte kryer që nga trazirat e marsit, 1997, dhe kishte vazhduar edhe më vonë. Sipas llogarive të kryera, u zbulua zhdukja e 340 kilogramë flori, në monedha dhe sende të çmuara, të ruajtura në tunelet e brendshme. Floriri i mbetur u transportua menjëherë drejt Tiranës. Pas nisjes së hetimeve u ndaluan 5 persona, banorë të fshatit Krrabë, si të përfshirë në grabitjen e arit, të cilët më pas u dënuan.
8.
29 TETOR, 1998 KASAFORTA ME 800 MILIONË LEKË, GRABITET ME VINÇ
Tropojë, më 29 tetor 1998, ku një grup i madh personash të armatosur, grabitën Bankën e Kursimeve. Por, këtë radhë, grabitja ishte më spektakolare dhe shuma gati 80 milionë lekë të rinj. Grabitja e armatosur e 29 tetorit, përbën dhe sulmin më spektakolar që u është bërë ndonjëherë bankave shqiptare. Një grup i madh personash të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie, morën me forcë vinçin e ndërmarrjes pyjore dhe e nxorën kasafortën e blinduar të bankës nëpërmjet murit anësor të saj. Kasaforta u gjet e hapur në lumin Valbonë dy ditë më pas. Autorët nuk janë zbuluar ende.
9.
25 MARS, 2000 PIRATI I BANKAVE, KEJDI KOTE
Në Bankën e Kursimeve në Tiranë, shënohet një vjedhje spektakolare. Një djalë i ri, me emrin Kejdi Kote, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, me ndihmën e një grupi prej 12 personash, duke përfshirë deri dhe pjesëtarë të personelit të Bankës së Kursimeve, mori 250 milionë lekë që ndodheshin në numrin e llogarisë të një biznesmeni nga Berati. Grabitja e Kotes u realizua duke falsifikuar dokumentet. Ai u arrestua dhe u dënua me 12 vjet burg dhe pas mbarimit të tij është i lirë.
10.
23 GUSHT, 2002 GRABITJA E BKT-së SË VLORËS
Historiku vazhdon me vjedhjen e realizuar më 23 gusht, 2002. Tre persona, rreth orës 09:30, vjedhin Bankën Kombëtare Tregtare të Vlorës, nën kërcënimin e armëve. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallati.