fbpx

Goxhaj: Beteja e Koshares, forcat e UÇK-s asgjësuan 39 ushtarë serb

  28 Sep 2017

Beteja e Koshares më 9 prill të vitit 1999 mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK e aleatët e saj të NATO-s, shoqëruar me shtimin e radhëve të vullnetarëve në front. Në ditarin e tij, Dilaver Goxhaj, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së jep detaje nga kjo betejë ku ai ishte pjesëmarrës si dhe historinë e rolin e komandant Gurit që mundi të sfidoj me sukses një përballje të pa parashikuar me forcat pushtuese serbe…

Koshare, 9.4.1999, ora 19:30. Në ora 03:30, datë 9 prill 1999, forcat e UÇK-së që veprojnë në rajonin e Junikut ndërmorën një sulm të befasishëm kundër forcave serbe që ishin stacionuar në fshatin Koshare dhe ato të Karakollit, 1 km në perëndim të Koshares. Armiku atje pat përqendruar rreth 200 forca. Fillimisht forcat e UÇK-së goditën forcat armike të Karakollit, ku u vranë 38 ushtarë serbë si dhe bënë rrethimin e forcave serbe të strehuara nëpër shtëpitë e fshatit Koshare, të cilin e patën boshatisur shumë më herët.

Në agimin e ditës, forcave serbe u vijnë në ndihmë forca të tjera nga fshati Batushë, të shoqëruara nga tanke. Forcat tona i pritën me zjarr, ku asgjësuan qysh në momentet e para të zjarrit edhe një tank, një transportues të blinduar si dhe dy makina me ushtarë. Si rrjedhojë, forcat serbe detyrohen të tërhiqen përsëri në fshatin Batushë, duke goditur me artileri forcat tona që mbajnë në rrethim armikun e strehuar në fshatin Koshare, që tashmë është i banuar nga ushtarët serbë.

Djemtë e Kosovës, të ardhur nga emigracioni, po luftojnë me kasapët e Serbisë që janë të futur në blind, dhe përsëri ne po fitojmë mbi këta përbindësha me fytyrë njeriu. Fitojnë djemtë e Kosovës sepse po luftojnë për lirinë e atdheut të tyre. Ndërkohë ushtarët serbë janë futur si miu në bodrumet e Karakollit dhe dridhen nga frika. Edhe atë luftë që bëjnë, e bëjnë sepse i stimulojnë me drogë e me propagandë. Në këtë luftë prej orësh të tëra, deri tani që po i hedhim shënimet, na kanë rënë në fushën e nderit luftëtarët: Bashkim Jashari, Agush Logu, Ramiz Krasniqi, Rifat Qehaj si dhe na janë plagosur Bujar Maloku e Smajl Trofaj.

Forcat tona deri tani kanë realizuar dy rrethime si dhe kanë zënë një vijë mbrojtëse për të mos mundësuar ardhjen e forcave armike nga Batusha. Artiljerët tanë, në ora 14.00 filluan të godasin me zjarr pozicionet e zjarrit të artilerisë armike në Batushë. Edhe ky fshat është i banuar krejtësisht me ushtarë serbë, pasi popullata e tij është dëbuar me kohë.

Ngushtimi i rrethimit të Karakollit pengohej nga zjarri i serbëve të pozicionuar në një shtëpi 500 metra më larg. Në ora 16.00, pasi u gjet një pozicion zjarri i përshtatshëm nga forcat tona për topin me qitje direkt e pa zmbrapsje 75 mm, u godit kjo pikë dhe u mundësua asgjësimi i serbëve në atë Karakoll.

Lanishtë, 10 prill 1999. Komandant Guri është një burrë që porsa i ka kaluar të dyzetat, me shtat mesatar e të lidhur dhe i fuqishëm. “Ai është shtylla jonë”, shprehet Komandanti i Brigadës 125 të UÇK-së, Luli.