Godet Kimete Berisha: Pse veç femrat? Janë nami i meshkujve që nëse nuk ke para, nuk t’i lëshojnë as sytë se le më të marrë gru

Godet Kimete Berisha: Pse veç femrat? Janë nami i meshkujve që nëse nuk ke para, nuk t’i lëshojnë as sytë se le më të marrë gru

  29 Apr 2019

Shkruan: Kimete Berisha:

Degradim.

1. Pse veç femrat? Janë nami i meshkujve që nëse nuk ke pare nuk t’i lëshojnë as sytë se le më të marrë gru.
Që në takimin e parë ata t’i hetojnë unazat, ‘llanacat’, sahatin, llaskucojnë okolla çantës tande dhe me theks të veçantë ndalen te ‘llanaci’ yt e të thonë: ‘valla paske shije, gjynah që je lind n’Kosovë ti…ku e ke gjetë këtë llanac kaq t’bukur, gjithë kam lyp bash kësi zingjiri po s’kam
gjetë’.

Ata të pyesin ‘Ku jeton? Me kë? A ke banesë? A ke punë? Dhe në fund të takimit, del se ‘gjynah’ e kanë harru kuletën n’farmerka që ja ka qitë nana me ja la.
Edhe i ka thënë nanës njëqind herë ‘mos m’i prek teshat pa m’vet, po qe nanat nuk ndryshojnë.

Ata janë meshkuj që nuk ua ndin që ti epalon jorganin tënd mbi jorganin e tij.
E kush do burra që varen prej grave, edhe nëse gratë var për ‘do gjana’ prej burrave nuk ka gajle, është natyrore që mashkulli me ta pagu darkën, me të ble dhurata, me shku me ja tharb hundën e ba ‘pleh’ shefin tënd nëse të ngacmon apo ta lëshon naj fjalë palidhje. Kështu ndodh në dynjanë e mbarë.
Pra, ne kemi nevojë për mbrojtje, por asnjëherë s’ndjejmë nevojë për ta mbrojtur ne dikë.

Kush i merr lakmi Donika Kadës, gjynah çfarë jete t’shtirë, vet gru – vet burrë, telashe, nga’ me siguru bukën, nga’ me siguru kulmin, me gatu, plus m’i punësu burrin, të cilin njëzet vjet e ka prit m’u punësu vet.
Kur burrin e punëson gruaja, ai burrë ish dasht me marrë mbiemrin e gruas.

Po, këta janë komunista, e ngjehin ‘të punësuar’ vetëm dikë që punon ‘n’shtet’, kanë biznese që i drejtojnë po kot nuk u duket që janë të punësuar pa marrë rrogë prej shtetit.

2. Lumiri i kish përqesh këta të Ramushit, pa pasur gux’ t’ua përmend emrat, ama me folë kah del shpirti, edhe dhjetë vjet me pas në dorë Kosovën, Ramushi nuk mundet m’i nxan Isa Mustafën e Hashim Thaçin, të cilët i kanë mbushë institucionet spicë me akraba e farefis të tyre.

Pra, për t’u pastru administrata nga politika duhet m’u largu nga skena politike bandat e krimit të instaluara nëpër parti politike.

Isa Mustafa ka pas shkuar aq larg sa çuditej ‘çka keni ju, bënte pyetje t’habitshme, ‘pse mos me marrë djali im tender në kryeministri ku jam unë kryeministër’ çka ka lidhje thoshte, e sot ndërton soliter 13 kate, aq ‘i paç’ që është.

3. Dhurata Hoxhës ju ka tek m’i korruptu lulet, njohëse e luleve siçish, sivjet i ka porosit 585 lloje të luleve, që kushtojnë 7,000 €, për nevoja të përgjithshme.
Ajo i ka porosit 50 kurora lulesh, duke ‘parashikuar’ ‘vdekjen’ e 50 vetëve, se kurora lulesh porositen aty për aty oj idiote e jo para se me vdek njeri.

‘Druri i jetës’ së saj duhet të jetë 130 centimetra i gjatë, por asnjë dyqan lulesh nuk po ja qëllon bash 130 cm, për 1 cm po luan shumë rol se askush s’mund ta urdhërojë ‘drurin e jetës’ të rritet sa të duash ti.

Veç Kosova korruptohet edhe me tendera me lule, dhe veç Kosova nuk e çoi asnjë lule (si krejt bota e qytetëruar) para xhamive si shenjë nderimi për viktimat e terrorit në Zelandën e Re.

Dhurata e ka porositur edhe pemën japoneze në miniaturë që e quajnë ‘bonsai’ dhe që simbolizon moshën. Besohet se pleqtë japonezë jetojnë gjatë sepse i respektojnë shumë.

4. Me respekt e kanë pritur në Japoni edhe Kadri Veselin, të cilit për shkak të pamundësisë të japonezëve ta shqiptojnë shkronjën ‘R’, Kadrisë i janë drejtu si Kadi.
Kadiu tash po merret me muzikë serioze, se e ka kuptu se nuk shkon jeta kështu veç hajgare.

5. E Behxhet Pacolli si gjithmonë serioz e kish dhënë edhe një intervistë para shtëpisë së tij gjigante, e cila për ironi të jetës ka veç shërbëtorë por jo banorë.
Si Kosova.

6. Të rinjtë po ikin. E tregon edhe sheshi Nënë Tereza që u bë si ilixhe, nuk sheh tjetër, veç të moshuar që shetisin.

7. Një ditë dola në pauzë, ishte e premte, u nisa rrugës kah teatri kombëtar. Isha vetëm. Gjithkah rrugës shihje vajza të reja të mbuluara, që mbanin nga një letër dhe një trëndafil të kuq në duar që ua dhuronin kalimtarëve.
I pashë që pëshpërisnin për mua, tri-katër vajza ecnin me vrap u njsën drejt meje, dhe në ato çaste e shpejtova vrapin dhe pa e pas njet hyra në një dyqan përkrah teatrit.

U largova shpejt, s’di as vet pse, thashë ma japin trëndafilin, s’di a me marrë a jo, qysh me ua kthy, ku me lënë, çka me bë me të, thashë ku me ditë çka shkruan në ato letra që i shpërndanin dhe meqenëse ishin të mbuluara me shamia thashë mos po ma lëshojnë naj fjalë për veshjen time e pastaj s’di si reagoj.

Kur hyra në dyqan, menjëherë te dera, njëra prej vajzave, shumë e re, ndoshta 18 vjeçe, më arriti dhe më doli përpara. A je ti Kimete Berisha? Po, i thashë anipse nganjëherë kam qejf me thënë ‘jo’.
Vajza ishte shumë e sjellshme, kishte shpejtuar me më përshëndet për t’më thënë se më lexon dhe se i pëlqejnë shumë shkrimet e mia.

Më erdh keq pse u nguta me paragjykime, dhe për ta nderuar e përdora një shprehje që s’e përdori gati kurrë, i thashë ‘ishalla’ shihemi për të mirë. Në fund ja dhashë dorën për ta përshëndetur, pasi e pyeta a prish punë.

Unë edhe më zi se fetarët, jam edhe më zi se japonezët që s’përshëndeten me dorë. E kam shumë mërzi.
E pashë një ditë njanën, i ldirte hundë derisa me njërën dorë e mbante timonin, thojshe ti gërmime arkeologjike po bën n’hundë, derisa vozitke X5 thashë, qysh pshtoj.
E këndej kish bë arkitekturë të vetullave, zift.

8. Ja kanë nis disa lexues me ma nxan kryet, po më thonë ani pse ti pra s’po e organizon një protestë, bëhemi kallabllak.
Ju thashë, unë kishe jam për me shkru, se nëse bash bash s’ka kush organizon protesta, qe ku jam, nuk pritoj m’u çartë. Ama dijeni se as unë nuk e kam lehtë.

Gjithkah po shoh dëshprim.
Para do ditëve e shikova mundësinë m’u dorëzu me ka krejt ose me ikë prej këtuhit por kur më erdhën do rixha ‘të nivelit’ të lartë për mos me shkru kundra Ramushit thashë ngadal mos u ngut m’u dorëzu se ti ‘po thejshe eshna me fjalë’, u qefova pak s’rrej, aq më mjaftoj sa vendosa thashë jo valla do të vazhdoj me ‘thy eshna’ do të bëhem Khalil Xhibran që në fund i kthehet atdheut edhe pse ia shkatërroi jetën, e mohoi dhe e përzuri shkelma me nënçmim, s’mund të bëhem ‘si ai poeti i Shkrelit’.
(m’u bë Shkrel do të thotë me qenë poet, mu zhgënjy shumë me Kosovën, me ikë prej Kosovës, mos m’u kthy kurrë në Kosovë dhe plus me lënë amanet as vorr mos me pas në vendlindje).
Por ama me vazhdu me shkru shqip.

9. Derisa ekipi negociator po presin me ja nis dialogut me Serbinë, Veton Surroi e bani namin e zi n’Beograd.
Ish shku Orrli para do ditëve në Serbi e kish thënë ‘të dyja shoqëritë jemi të traumatizuara’, do
me thënë na kish barazu.

Kam thënë: nëse kurrë-kurrgjë në jetë s’ka punu mirë Hashim Thaçi, veç pse e ka largu Veton Surroin nga politika, meriton respekt.

Në vend se me shku Orrli me përmend në Beograd shfarosjen e familjes Jashari dhe me ngrit padi kundër Serbisë, ai shkon atje dhe e barazon viktimën me vrasësin.
A s’e meriton ky me t’ju kthy çelet, e mos m’u gjind ma kime për të.

10. Ju kam tregu se më së keqi më vjen kur shkruaj keq kundra shqiptarëve e më citojnë gazetat serbe, ‘poznata albanska novinarka protiv Hašim Thačija….’, shumë rëndë më vjen, është një kurth, s’di qysh me spjegu, është një pengesë e çuditshme kur merr komplimente nga serbët për shkrime kundër politikanëve shqiptarë.

Po çka me bë, u shkru me vujt.
E keqja nuk ka përkatësi kombëtare.

11. Kur ndodhin aksidente dhe vrasje gjithmonë, mendoj për Zotin, jo që nuk i parandalon ato, se e pranoj atë që sipas fesë islame thotë ‘asgjë nuk ndodh pa lejen e Zotit’, sepse ndjej qetësi të madhe saherë përmendet thënia ‘ka qenë e shkruar’.

Por është një pyetje kurrë nuk gjen paqe.

Mbasi Zoti e ka shkruar në ditën e 40-të në barkun e nanës se sa do të jetojë njeriu, çfarë gjinie do të ketë, sa rrisk do të ketë dhe kush do të jetë fati i tij, atëherë prej nga vjen aksidentalja kur feja nuk e njeh aksidentalen.
Habitem sa herë që dëgjoj klerikët, sidomos Elvis Naçin kur e përmend aksidentalen.

Nuk ka aksidentale në një botë ku gjithçka është e shkruar.
Apo ndoshta a?
Vendosni: A ka a s’ka…

Sepse nëse ka aksidentale, nuk mund të ketë fat të parashkruar. Nuk shkojnë bashkë.

Anipse në Ligjin Islam thuhet se nëse dikush e vret dikë aksidentalisht mund t’ia jap familjes së të ndjerit një shumë të caktuar parash nēse ata pranojnë dhe veç nëse vrasja ka ndodhur aksidentalisht.

A është çdo gjë e shkruar a jo!

12. Shpeshherë ndjej sikur asgjë nuk kuptoj.
E kur ndjej plus edhe boshllëk e zbrazëti kam qejf me shku diku në faltore ne gjet çare, kishë a xhami, ku mundem me meditu, me mendu se për me meditu shqiptari pak si shtirë.

Isha shku me shumë qejf në xhami po asnjëherë s’jam e veshur si ‘duhet’, prandaj më lehtë shkoj në katedrale.
Për inat t’imzotit, gjithmonë i marrë dy qirinj me veti, sepse aty te shandani shiten qirinj të vegjël dhe shkruan ashiqare paguaj një qiri 20 centë, dhe mua pastaj më kahet nana, për 20 centë më humb magjia e lutjes. Nuk ka logjikë biblike: mëkati me t’u falë-falas, e qiri me kushtu me pare.
(hiqni atë çmim të qirinjve në Katedrale se turp prej Krishtit. Ai e dha jetën për juve e ju as qirinjtë nuk i jepni falas për të. )

Pastaj, ulem para figurës së Shën Terezës se më duket ma e ngjofshme se Krishti dhe mendoj.
S’di çka mendoj, ankohem më duket, më shumë ankohem.
Kam qejf mos me më njoft kush por gjithmonë qëllon naj shqiptar mysliman që u ardh me pa dhe me ju lut Nënës Terezë.

Xhamitë ish dasht me pas një hymje të veçantë, një dhomë të veçantë për ‘mëkatarët’. Me na josh me disa lehtësira. Për shembull me hy kryeshtrum lirisht pa pas nevojë me fshi llakun prej thonjve, e m’u bë tebdil.
Se me qenë ne krejt të mirë s’ishim
shku hiç aty m’u lut për shpëtim.

Nuk duhet të kemi komplekse, ilaçin e shpirtit duhet me lyp si të parët tanë qysh e kanë lyp, ku është e ku s’është, nëpër kisha e xhamia.
Ku me ditë ku fshehet paqja.

Sepse fjalën e fundit për Zotin nuk e tha dot asnjë fe.

P.S. ‘Kokaina vija-vija, është Kosova, është Shqipëria’, është vargu i këngës më të re që e këndon Capital T.
Ky varg ua kalon krejtve, ‘porshesë’ së Kreshës, ‘tavolinës së mërzisë’…emrave të firmave botërore: sidomos ky Guci na myti, që veç shqiptarët i reklamojnë falas në muzikë….

Shqiptarët e zëvendësuan në muzikë rakinë me drogë, këngëtarët e moçëm ende i ruajnë ‘vlerat’ e rakisë në këngë, e këngëtarët e rinj që i këndojnë drogës janë ‘trafikantë muzikor të drogës’, që e shesin drogën me muzikë.
S’ka reklamë më të madhe të drogës sesa kjo. Plus janë aq të marrë sa kujtojnë se droga të bën frajer, modern, artist!

A ka mbetur këtu gjë pa u degraduar!

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.