Gjykata speciale rrezon qeverine Haradinaj!
Nëse Parlamenti i Kosovës voton ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, atëherë pritet të bie Qeveria e Kosovës.
Burime ndërkombëtare i kanë thënë Insajderit, se nëse miratohet ligji, Lista Serbe pritet të dalë nga Qeveria Haradinaj dhe kësisoji mund të bie Qeveria për shkak të mungesës së shumicës parlamentare.
Këto zhvillime kanë ndodhur pas paralajmërimit për ndryshimin e Dhomave të Specializuara, raporton Gazeta Online Insajderi.
Po ashtu, nëse sonte arrihet të zhbëhet Gjykata Speciale për Krime Lufte, atëherë Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) pritet që të miratojë një Gjykatë të vecantë Speciale për Kosovën.
Kjo gjykatë nuk do të jetë më nën juridiksionin e Kosovës, por do të jetë plotësisht ndërkombëtare, siç ka qenë Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, kanë paralajmëruar burime ndërkombëtare për Insajderin.
Themelimi i një gjykate të tillë pritet të formohet nëse Kuvendi i Kosovës zhbën Ligjin për Gjykatën Speciale. 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që të mbahet sonte seanca e jashtëzakonshme për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kujtojmë se ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. /Insajderi.com