GJYKATA MERR VENDIM PËR MASËN NDAJ MILAIM ZEKËS
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për 30 ditë të tjera masën e arrestit shtëpiak, deputetit të Kuvendit të Kosovës, Mialim Zeka.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline avokati i tij, Gazmend Halilaj i cili ka thënë se për këtë janë njoftuar gjatë ditës së sotme nga Gjykata dhe se vendimi është marrë jashtë seancës gjyqësore.
Një gjë e tillë, sipas tij, është në kundërshtim me dispozitat e procedurës.
“Iu ka vazhduar edhe për 30 ditë masa e arrestit shtëpiak, mirëpo kjo është bërë në kundërshtim me dispozitat e procedurës për shkak se masa e arrestit i është vazhduar pa praninë e tij në Gjykatë, do të thotë jashtë seancës gjyqësore, cak do të thotë se kemi shkelje të dispozitës të procedurës me karakter absolut”, ka thënë ai.
Gjithashtu, sipas Halilajt ka pasur shkelje edhe të dispozitës së pabarazisë së palëve.
“Pos anës faktike që nuk janë plotësuar kushtet për t’i vazhduar masa e tij, kemi edhe shkelje të dispozitës për shkak të pabarazisë së palëve. Pra, gjykata po favorizon vetëm njërën palë, në këtë rast prokurorinë speciale, ndërsa i ka pamundësuar të mbrojturit tim që t’i paraqes në seancë dëgjimore kundërshtimet e tij me pretendimet e prokurorit”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai njofton se brenda afatit ligjor do të bëjnë ankesë në gjykatën e Apelit të Kosovës, duke shpresuar që kjo e fundit do të jetë në gjendje të riparoj punën e Gjykatës së Shkallës së Parë.