Gjendet një trup i vdekur, dyshohet të jetë avokati i njohur shqiptar

  18 Nov 2017

Prokuroria e Maceratit në Itali ka kërkuar shqyrtimin e analizave të ADN-së së trupit të pajetë të gjetur me 6 nëntor të këtij viti në Castro, në provincën e Lecces. Dyshohet se trupi i pajetë mund të jetë i avokatit shqiptar të zhdukur prej 2 nëntorit, Besnik Muço.

Ai u nis nga Durrësi me traget për Bari por nuk mbërriti kurrë. Ndërkohë që disa nga sendet e tij personale u gjetën pak ditë më parë në traget.

Prej 15 vitesh avokati jetonte në Macerata, ku ende ndodhet bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij. Vetë gruaja e tij kishte denoncuar zhdukjen e Muços në policinë e Maceratas. Sakaq në Shqipëri gjithashtu ëhstë hapur një hetim për çështjen.

Trupi i gjetur në bregun e Pulias më 6 nëntor ende nuk është identifikuar, ndërkohë që në zonë nuk janë deklaruar persona të zhdukur. Trupi u gjet me një ditë vonese për shkak të një stuhie të fortë.

Hetimet në Shqipëri

Për palën shqiptare, Besnik Muça, rezulton se ka kryer të dyja procedurat në portin e Durrësit si atë të check-in dhe sistemin TIMS. Mbi këto fakte Policia dyshon se zhdukja e tij mund të ketë ndodhur gjatë udhëtimit. Pistat më fatale janë se 52 vjeçari mund të jetë vetëhedhur në det nga trageti ose e kanë vrarë duke e hedhur në det.

Grupi hetimor po verifikon nëse avokati Besnik Muça ka pasur konflikte apo ndonjë mosmarrëveshje me ndonjë prej klientëve të tij, ndërkohë që ushtronte aktivitetin e avokatit të lirë në kryeqytet.

Cilat ishin dyshimet fillestare për trupin e pajetë të gjetur në det

Asokohe policia italiane kishte dyshime të forta se trupi i pajetë mund të ishte i ndonjë trafikanti për arsye se brenda pak ditësh në brigjet e detit në Pulia u gjetën dhe sekuestruan qindra kg marijuanë e trafikuar nga Shqipëria. /OraNews

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.